Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në ditën e dëshmorëve në komunën e Rahovecit, mëngjesin e sotëm të 12 majit, me përulje dhe me përkushtim, nderoj kujtimin dhe veprën e njërit prej bijve më të shquar të këtij populli, veprimtarin e hershëm, luftëtarin e orëve të para, eprorin e dëshmuar, Bedrush Avdi Gashin nga Drenoci, i cili ra duke luftuar më 12 maj të vitit 1999.
“Ndalova pak te shtatoret krenare të këtyre dy burrave të mëdhenj, dy vëllezërve heronj, Feimit e Bedrushit, për të vazhduar në vendin ku ra Bedrushi, te Pika Vlora, në dalje të fshatit”, ka shkruar në rrjetin e tij social, Facebook, kryetari Latifi, për të vazhduar:
Bedrush Gashi bashkë me të vëllanë Feimin, janë heronjtë që e shkruan me gjak historinë, i dhanë shumë luftës për liri, u bënë vetë historia, sepse në angazhimin, vendosmërinë, guximin dhe sakrificën e madhe që e vulosën me gjakun e tyre të kuq, u përmbys përfundimisht epoka e robërisë dhe filloi pambarim epoka e lirisë, të cilën po e jetojmë ne shokët e tyre dhe do ta jetojnë brezat e ardhshëm.
Lavdi dhe nderime përjetësisht birit të kombit, heroit Bedrush Gashi!
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!, thuhet në postimin e kryetarit të Rahovecit, z. Smajl Latifi.