Kryetari Smajl Latifi përkujton dëshmorët e parë të UÇK-së në trevën e Anadrinit, Milaim Krasniqin dhe Elmi Morinën

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka përkujtuar 12 MAJIN, ku 27 vjet më parë u zhvillua beteja e parë e hapur e armatosur në Zonën Operative të Pashtrikut kundër forcave pushtuese serbe, në fshatrat Ratkoc, Vrajak, Bratatin dhe Malësi e Vogël, e cila ishte e pabarabartë e ashpër dhe zgjati nga mëngjesi deri në mbrëmje, kur forcat serbe u dëbuan me luftë matanë Gradishit.

Në këtë betejë, ka shkruar kryetari Smajl Latifi, djemtë që i kishin bashkuar zemrat dhe armët për të luftuar për liri, fituan, por u desh të derdhet gjaku i Milaim Krasniqit nga Pastaseli dhe i Elmi Morinës nga Vrajaka, që janë edhe dëshmorët e parë të UÇK-së në trevën e Anadrinit e të marrin plagë të rënda e të lehta luftëtarët e orëve të para, Lulzim Hoti nga Ratkoci, Osman Zyberaj dhe Myftarem Gashi nga Drenoci e në pragun e shtëpisë vritet bashkëfshatari im, Malush Morina.

12 maji 1998, përveç se është beteja e parë e hapur e forcave tona çlirimtare të bashkuara dhe ranë në krye të detyrës dy dëshmorët e parë, nga kjo datë u krijua situatë e re në tërë rajonin e Anadrinit, u mobilizuan djem e vajza – populli i kësaj treve, në mbështetje dhe fuqizim të UÇK-së, për të vazhduar betejë pas beteje luftën për çlirim deri në fitoren përfundimtare mbi armikun.

Luftën e fituam falë angazhimit të pashoq të djemve dhe të vashave të këtij populli, që nën flamurin e UÇK-së, bënë sakrifica të mëdha e flijime të shumta të cilat u shpaguan me jetët dhe me gjakun e kuq të heronjve, të dëshmorëve e të martirëve!

Lavdi dhe nderime përjetë dëshmorëve Milaim Krasniqi dhe Ilmi Morina!

I pavdekshëm në kujtesën tonë dhe të brezave pas nesh është 12 MAJI, Dita e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit, ka shkruar në llogarin e tij, Facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësuesit nga Kosova me pjesëmarrje dinjitoze në takimin e Sektorit të Evropës Jugore të CIOFF në Lorca, Spanjë

Në qytetin Lorca të Spanjës po mbahet takimi i sektorit të Evropës Jugore të CIOFF …