Sot, kanë filluar punimet për asfaltimin e rrugës në fshatin Vërnakollë të Vitisë. Me këtë rast, kryetari i komunës, Sokol Haliti, me bashkëpunëtorët e tij, vizituan nga afër procesin e realizimit të këtyre punimeve.
Në këtë vizitë, kryetari Haliti theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të fshatit Vërnakollë, i cili, ndonëse pothuajse është boshatisur, tani po përfiton nga investimet infrastrukturore të realizuara nga komuna e Vitisë dhe Ministria e Infrastrukturës.
“Po vizitojmë sot punimet në asfaltimin e rrugës së Vërnakollës, që është një fshat pothuajse i boshatisur. Megjithatë, me krijimin e infrastrukturës rrugore që po realizojmë, jeta në këtë fshat pritet të rikthehet,” u shpreh kryetari Haliti. Ai shtoi se Vërnakolla është një fshat me potencial të madh eko-turistik dhe me një histori të pasur kulturore ku sipas tij ka një mundësi të mirë të ringjalljes.
Kryetari Haliti gjithashtu nënvizoi se, përmes projekteve të tjera infrastrukturore që po zhvillohen në këtë zonë, synohet lidhja e fshatrave të Letnicës, si dhe lidhja me kufirin e Maqedonisë së Veriut, duke krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal.
Banorët e fshatit Vërnakollë e mirëpritën këtë projekt, duke theksuar se përfundimi i asfaltimit do të krijojë kushte më të mira për ata që dëshirojnë të rikthehen dhe të jetojnë në këtë fshat, përfshirë edhe mërgimtarët që kanë shprehur interes për t’u kthyer në pronat e tyre.