leoni

Hajrush Kurtaj: Shembëlltyra e dy figurave emblematike të UÇK-së

26 – vjetori i rënies heroike i Komandantit të Brigadës 162”Agim Bajrami” Qamil Ilazi – Komandant Bardhi dhe bashkëluftëtarit Selim Shehu

Qamil Ilazi i përket brezit të dinjitarëve të lirisë, të cilët u kalitën nëpër demonstrata dhe nëpër burgje të okupatorit jugosllav. Në nëntor të vitit 1968, Qamili qysh si nxënës i Shkollës Normale, merr pjesë në demonstratat e shqiptarëve që u zhvilluan në Tetovë. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata arrestohet dhe dënohet me gjashtë muaj burg. Më vonë, pas kryerjes së Shkollë Normale në Ferizaj e Tetovë, emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes, në Kaçanik të Vjetër. Si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, Qamili do të mbetet  në shënjestër  të inspektorëve të regjimit jugosllav si dhe nën survejim të disa bashkëpuntorëve të SPB-së. Pas një kohe punoi mësues në fshatin Begracë, të komunës së Kaçanikut, më vonë punon edhe në administratën e komunës së Kaçanikut deri në suprimimin e Kushtetutës së Kosovës, më 1989 dhe vendosjen e masve të dhunshme nga aparati okupues serb. Duke qenë se regjimi i kishte rënë në gjurmë veprimtarisë së tij, më 14 prill të vitit 1995 arrestohet dhe dënohet me 3 vjet burg si dhe në vitin 1998 u denua në munges me  7 vjet burg. Gjatë viteve të 90-ta punon edhe në Këshillin komunal të Arsimit në Kaçanik. Në prill të vitit 1998, kryesonte Këshillin e Emergjencës për komunën e Kaçanikut.

Formimi i UÇK-së, organizimi i njësiteve guerile të saj dhe kryerja e aksioneve të armatosura kundër pushtuesit serb, e frymëzoi edhe Qamil Ilazin, si shumë atdhedashës, të cilët u mobilizuan dhe morën përsipër zgjerimin e radhëve dhe formimin e njësiteve të UÇK-së në tërë vendin. Pra, UÇK-ja mori mbi vete misionin e ndryshimit përfundimtar të historisë së Kosovës dhe të historisë sonë kombëtare shqiptare. Si në vendet e tjera, ashtu edhe në Zonën Operative të Nerodimes dolën djem e trima të guximshëm, si Qamil Ilazi dhe Selim Shehu, të cilët patën guximin dhe gatishmërinë për të bërë organizimin e njësiteve të UÇK-së nën komandën e Agim Bajramit. Prandaj, Qamil Ilazi ishte krah i fortë i komandantit Agim Bajrami, ashtu siç ishte krah i fort, i Qamil Ilazit edhe Selim Shehu, që nga formimi i njësiteve të para të UÇK-së në Kaçanik. Qamil Ilazi ishte vizionar dhe shumë komunikativ, personalitet me virtyte të përkryera njerëzore. Në bashkëpunim me bashkëluftëtarët e tij, ai asnjëherë nuk hezitoi të hyjë në çfarëdo rreziku sepse ai ishte në gjendje të dalë nga çdo situatë që gjendej. Ai filloi t’i mobilizojë shokët me të cilët ishte i afërt fizikisht e shpirtërisht. Qamil Ilazi ishte dhe mbet një nga figurat emblematike e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, ku pati nderin ta vazhdonte aty ku e kishte lënë Komandant Zefi- Agim Bajrami dhe kontriboi derisa edhe ai ra në Altarin e Lirisë dhe pas tij për ta vazhduar zëvëndësi i tij Hajrush Kurtaj.

Roli i jashtëzakonshëm dhe i pashoqë i Qamil Ilazit ishte:

  • Koordinimi i gjitha aktiviteteve ushtarake me ardhjen e Komandantit të Parë të UÇK-së Agim Bajrami në Kaçanik më 22 mars 1998;
  • Formimi dhe koordinimi i njësiteve të furnizimit në Kaçanik (Glloboçicë, Shtrazë, Kovaçec, Bob, Soponicë, Gabrricë, Puset e Nikës, Gjurgjedell…etj);
  • Furnizimi i njësiteve të UÇK-së me armatim dhe pajisje tjera luftarake;
  • Bashkëngjitja e Komandant Bardhit njësitit të Kaçanikut, në frontin e lutës në Jezerc dhe emërimi e tij komandant të njësiteve të Kaçanikut, më 17 gusht 1998 nga SHPUÇK-së, pas rënies së Komandantit Agim Bajrami me bashkëthemeluesit e UÇK-së, Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën, më 10 gusht 1998 në fshatin Gabrricë;
  • Komandimin e suksesshëm me njësitet e Kaçanikut në operacionet luftarake, nga 17 gushti 1998 deri në pëfundim të Betejës së Jezercit, më 28 shtator 1998, ku në betejë ranë dëshmorë: Bashkim Vishi, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Nazim Terziu, Sejdi Sejdiu, Lulzim Guta, Salih Baliu dhe Arsim Zeqiri si dhe plagë të lirisë morrën Islam Hasaj dhe Daut Ilazi.
  • Komandimin dhe kthimin e njësiteve të Kaçanikut në zonën e përgjegjësisë në Kaçanik dhe vazhdimin e operacioneve luftarake.

Komandanti Qamil Ilazi, më 27 nëntor 1998, bashkë me zv.komandantin Hajrush Kurtaj, marrin pjesë në takimin e ftuar nga komandanti i Zonës Operative të Nerodimes Gjeneral Shukri Buja. Në këtë takim, këta dy udhëheqës ushtarakë, njoftohen me riorganizimin e njësiteve të UÇK-së,  në veçanti të ZON-ës dhe formimin e Brigadës sonë të cilës i vendoset numri 162 dhe emrohet me emrin e ish Komandantit të Parë të sajAgim Bajramit.

Komanda e Zonës Operative dhe SHPUÇK-së, duke u bazuar në kontributin e tij patriotik dhe atdhetar me vullnetin e pathyer, guximin e madh dhe vendosmërinë e hekurt, merr vendim dhe emëron Qamil Ilazin Komandant të Brigadës 162” Agim Bajrami” dhe   kryen këto funksione:

  • Riorganizon dhe strukturon Brigadën 162”Agim Bajrami”(Shtabin e Brigadës, tre batalione, togën e PU, Logjistikës, vëzhguese dhe njësitë specale);
  • Me Komandën e Brigadës drejton operacionet luftarake në betejat: Puset e Nikës, më 26 shkurt 1999; Gajres më 28 shkurt 1999; Ivajës, më 8 mars 1999; Kotlinës, më 9 mars 1999; Kotlinës dhe Ivajës,  më 24 mars 1999; Rakocit,  Lagjes së Re  dhe Nikaj, më 9 prill 1999;   
  • Priti dhe përcoelli delegacionet e larta të SHP të UÇK-së dhe Drejtorisë politike të UÇK-së me siguri të plotë;

Përgjatë Karadakut, Komandanti i Brigadës Qamil Ilazi  (Komandant Bardhi), në shoqërim të dy bashkëluftëtarëve Enver Axhami dhe Shefket Kuka, duke bërë inspektimin e njësiteve të Batalionit të Dytë dhe të Tretë si dhe koordinimin e furnizimit nga vija e Gjurgjedellit, më 14 maj 1999,  në një pritë të forcave okupatore serbe dhe bie në krye të detyrës, në fshatin Nikoc – Mëhalla e Veselëve, bashkë me bashkëluftëtarin e tij – Selim Shehun si dhe plagë të lirisë morri Shefket Kuka.

Komandant Bardhi kishte lidhje të forta midis vlerave ushtarake dhe normave shoqërore. Ai kishte një bazë të fortë, morale dhe etike, meqë njihte mirë perspektivat, për  të cilat përcaktohej, ngase synimet ai duhej t’i arrinte dhe në fushën ushtarake që ishin shumë komplekse. Fati i aftësive dhe guximit ishte një profesionist i dalluar gjë që u dëshmua me veprimtarinë e tij atdhetare. Pra ai këtë e dëshmoi në veprimet e suksesshme që i ndërmori në kushte të vështira të veprimit. Shkallën e lartë të profesionalizmit e kishte arritur duke kaluar me sukses në sprova të shumta. Ai ka prezantuar aftësi të jashtëzakonshme  në të gjitha fazat e veprimit.

Duke vlerësuar këtë rëndësi të madhe historike dhe rolin e komandantëve në beteja, ish-Presidentja i Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, më 28 nëntor 2012, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, e shpall Komandantin e Brigadës Qamil Ilazin Hero të Kosovës.

SELIM  SHEHU

Selim Imer Shehu u lind në Kaçanik, më 18 tetor 1965. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në Kaçanik. Selimi trimërinë e kishte trashëguar nga të parët e tij, që ishin bujarë dhe të dalluar për qëndrime patriotike gjatë periudhave kohore ndër shekuj. Qysh si i ri ndjen barrën e rëndë të robërisë së armikut, që kishte shkelur trojet e Kosovës. Gjithnjë angazhohej për organizimin e njerëzve për ta mposhtur armikun serbo-çetnik. Në demonstratat e vitit 1990 Selimi ishte në radhët e para, duke kërkuar të drejtat kombëtare. Po ashtu edhe në Kaçanik ishte ndër të parët në organizimin e demonstratave 1989 – 1990. Për veprimtarinë e tij të dalluar patriotike u ra në sy pushtuesve serbo-sllavë. Për këtë edhe burgoset, ku edhe dënohet me 60 ditë burg, të cilin e vuan në Prishtinë dhe Dubravë. Pas daljes nga burgu, Selimi veprimtarinë e vet politike nuk e ndërpret por e ngreh në nivel më të lartë. Ishte i flaktë të angazhohej për lirinë e Kosovës. Kontaktet e para me UÇK-në i vendos, më 20 tetor 1998, ku edhe inkuadrohet në radhët e saj, konkretisht në Batalionin e Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Aty e shohim si njeri të luftës, i cili me një punë të palodhshme e trimëri të rrallë i shërben atdheut. Kjo veprimtari e tij ishte e bujshme edhe në aspektin ushtarak, meqë armikut ai i fuste tmerr e frikë gjer në palcë. Bashkëluftarët e ngushtë të Selim Shehut ishin: Fehmi Hoxha, Hajrullah Shehu, Shaban Topojani dhe komplet toga i Hajrullah Shehut. Selim Shehu ishte pjesëmarrës i Betejës së Gajres, Betejës së Ivajës, Kotlinës, Luftës në hyrje të Kaçanikut, Luftës në Rakoc.

Më 14 maj 1999 në mbrojtje të Komandant Bardhit, ra heroikisht në krye të detyrës bashkë me komandantin – Bardhin, ku me këtë rast plagoset edhe përcjellësi i komandantit, ushtari Shefket Kuka. Përgjatë Karadakut, Komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi, duke bërë inspktimin e njësiteve të Batalionit të Dytë dhe të Tretë, më 14 maj 1999 has në një pritë serbe dhe bie në krye të detyrës, në fshatin Nikoc – mëhalla e Veselëve, bashkë me bashkëluftëtarin e tij Selim Shehun si dhe plagoset përcjellësi i komandantit Shefket Kuka. Vepra e tij do të mbetet e pashlyeshme në kujtesë për brezat e ardhshëm.

Selim Shehu ishte njeri praktik dhe dinamik. Në çdo kohë ai  ishte i gatshëm për t’i kryer obligimet e tij në interes të Luftës, pa përfillur rrezikun. Selimi u bë i dashur edhe për gjithë ushtarët e Brigadës, prandaj edhe merrte përgjegjësi për marrjen e shumë aksioneve në luftë. Në rrugën e luftës ka lënë mbresa të pa shlyeshme tek luftëtarët e lirisë.

Lufta e lavdishme dhe heroike e UÇK-së me përkrahje të madhe të popullit liridashës dhe gjaku i dëshmorëve dëshmon më së miri se një popull që lind bij e bija të tilla, pavarësisht nga vështirësitë që i dalin përpara, të ardhmen e ka të  ndritur dhe të sigurt. Dëshmi e fortë i kësaj është edhe Heroi i Kombit Qamil Ilazi dhe Dëshmori i Kombit Selim Shehu si dhe mijëra dëshmorë e heronj të tjerë të Kosovës.

Lavdi Heronjëve, Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë të Rënëve për Liri, në gjitha periudhat historike!

Nderim Veteranëve të UÇK-së dhe gjithë veprimtarëve të kombit.

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

 

.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: Arkani në Dragash më 26 maj 1999, dhe krimet serbe të pa zbuluara në komunën e Dragashit

Pak njerëz mund të kenë informacion se krimineli i njohur serb, Zheljko Razhnjatoviq – Arkan …