Ecuria e mirë e edicionit të 24-t të festivalit “Anadrinia jehon”, dëshmoi për punën dhe përkushtimin e këshillit organizues, të banorëve të fshatit Dejnë, të strukturave të pushtetit lokal, ekipit të QKMF “Dr. Fahredin Hoti”, Policisë së Kosovës, sigurimit fizik, njësisë së zjarrfikësve, të gjithë atyre që kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij edicioni, medieve, publikut dhe pjesëmarrësve në këtë festival. Ky edicion tregoi se ky aktivitet kulturor, me karakter kombëtar, është konsoliduar tashmë dhe ka vënë themele të forta. Pjesëmarrja e pesëmbëdhjetë grupeve artistike nga vise të ndryshme shqiptare është dëshmi e kësaj.
Juria profesionale, e përbërë nga: Shkodran Tolaj – magjistër i solokëndimit, Visar Munishi – magjistër i etnomuzikologjisë, Artan Ibershimi – profesor doktor i koreografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë, Zymrije Grajqevci – drejtoreshë e FIDAF KOSOVA dhe valltare në Ansamblin “SHOTA”, Uesli Alushi dhe Gëzim Sertollaj, magjistra të koreografisë, si dhe drejtori i festivalit, Muharrem Morina, patën punë të madhe për të bërë vlerësimet e duhura, sepse prurjet artistike ishin të një niveli të kënaqshëm, duke dëshmuar seriozitetin e grupeve e të artistëve pjesëmarrës.
Fituesit e këtij edicioni ishin:
Çmimi i Parë: SH.K.A. “Koha” nga Tuzi;
Çmimi i Dytë: SH.K.A. “Malësori” nga Gjonaj;
Çmimi i Tretë: Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Gjilani” nga Gjilani.
Me çmime, mirënjohje e medalje janë nderuar edhe shumë individë, grupe pjesëmarrëse e donatorë.
Urime të gjithë pjesëmarrësve e suksese të mëtutjeshme!