OVL-UÇK, i është drejtuar me një letër të hapur ish-emisarit amerikan Richard Grenell dhe administratës së ish-Presidentit Donald Trump, duke shprehur shqetësimin e thellë për funksionimin dhe drejtimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Në letër, OVL-UÇK thotë se Gjykata ka devijuar nga misioni fillestar i drejtësisë dhe është shndërruar në një “armë politike” kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Veteranët kërkojnë mbylljen e kësaj gjykate, duke e konsideruar atë si të dështuar në përmbushjen e parimeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe vlerave amerikane. “Taksapaguesi amerikan nuk i dërgoi paratë e tij në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vetë vlerat për të cilat qëndron Amerika”, thuhet në letër, ku citohet se presidenti Trump po rishkruan “rregullat e ndryshkura të kontrollit politik të gjyqësorit të pavarur”. Letra përmban edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj disa ish-zyrtarëve në Hagë, duke përmendur dorëheqjet e tyre si shenjë të pakënaqësisë me mënyrën si po funksionon institucioni. OVL-UÇK kërkon një audit të plotë financiar dhe hetim të pavarur për këtë gjykatë, duke e konsideruar atë një “turp për drejtësinë amerikane”. Në fund të letrës, veteranët i bëjnë thirrje SHBA-së të mos qëndrojë indiferente dhe të ndërhyjë për të ndalur, siç thuhet, “shkrimin e një historie të rreme” dhe “shtypjen e zërave që sollën lirinë në Kosovë”.
