Veteranët e UÇK-së kërkojnë hetim ndërkombëtar për Dhomat e Specializuara: “Shkelje sistematike të të drejtave të njeriut”

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i është drejtuar me një letër komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar dhe të pavarur mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në këtë letër – që vjen pas një tjetër drejtuar ish-emisarit amerikan, Richard Grenell – veteranët shprehen të shqetësuar për, siç e përshkruajnë ata, abuzimet procedurale dhe mungesën e transparencës nga ana e gjykatës që trajton rastet e ish-krerëve të UÇK-së. “Dhomat e Specializuara janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese,” thuhet në letër. Në letër kritikohet edhe refuzimi i Dhomave për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit të Kosovës – institucion që, sipas tyre, ka të drejtë të plotë të ndërhyjë kur shkeljet e të drejtave themelore janë në pyetje. Veteranët kanë bërë thirrje për ndalimin e, siç e quajnë ata, degradimit të institucioneve të drejtësisë në një mjet të zgjatur ndëshkimi, duke kërkuar llogaridhënie dhe respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

26 vjet nga Masakra në Burgun e Dubravës: 160 të burgosur shqiptarë të vrarë, drejtësia ende mungon

Sot shënohen 26 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë …