Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbi vete misionin e ndryshimit përfundimtar të historisë së Kosovës, përkatësisht dhe historisë kombëtare shqiptare. Të gjithë luftëtarët e UÇK-së u nisën për luftë, nga parimi se: “Lirinë nuk ta falë askush, ajo fitohet vetëm me pushkë”. Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe me plot sakrifica, por e lavdishme
Në këtë rrugëtim kanë rënë 95 dëshmorë të kombit e në mesin e tyre edhe dy dëshmorët: Hesat Axhami e Burhan Zeneli, që sot është 26 – vjetori e rënies heroike të tyre.
Hesat Sami Axhami, i lindur më 22. 5. 1967 në fshatin Llanishtë, komuna e Kaçanikut. Fshati Llanishtë edhe pse është vendbanim i vogël, vetëm një kilometër nga qyteti i Kaçanikut, është një fshat i lashtë me mbi 30 shtëpi. Ky fshat i bëri ballë me një stoicizëm të pashoq dallgëve të stuhishme të historisë edhe atëherë kur xhonturqit e dogjën gjysmën e tij, edhe atëherë kur e okupuan forcat serbo-sllave. Në vitin 1910 Idriz Seferi kishte qëndruar në shtëpinë e Hazir Axhamit, nga të cilët të gjithë Axhamët rrjedhin nga kjo familje. Më 1912 në këtë fshat 23 qytetarë ishin vrarë nga gjeneral Jankoviq. Ndër të vrarët ishte Isuf Axhami, baba i Sami Axhamit me djalin Murtezin dhe dy mysafirë prej Dërnogllavës-Gadimes, këto mysafirë kanë qenë dajat e Isuf Axhamit. Babain e babës së Sami Axhamit, Elmazin, nëna e vet ishte detyruar ta vishte me rroba të grave, vetëm për të shpëtuar nga shkijet. Viti 1935 gjithashtu banorët e kësaj ane kishin përjetuar tortura të rënda dhe dhunshëm i kishin shpërngulur për në Turqi, duke ua konfiskuar pasurinë. Në rrugë për në Bllacë, gjatë vitit 1945 partizanët, vajzës Hanife Axhamit, motra e Sami Axhamit,13 vjeçare ia kanë vendosur pushkën në gjoks dhe e kanë detyruar që të ecte sipas urdhërave të tyre. Kështu, prej frikës dhe tmerrit që ka marrë nga ky moment i rëndë, është sëmurë dhe pas një viti ka vdekur. Këtij fshati tmerri i serbëve nuk iu ka ndalur deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe në vitet e 90-ta ka vazhduar maltretimi në këtë fshat nga serbët: Bobani, Dragani, Lubisha si dhe dy shqipfolësit Hebib Koka dhe Avdi Musa – Bajgora, milicë të Sërbisë, të përkrahur nga bashkëpunëtorët e tyre, të po këtij fshati. Me gjithë këto tortura të vazhdueshme, nëpër periudha të ndryshme, familja e Hesatit e vazhdoi traditën kombëtare. Këtë traditë të qëndresës së të parëve të tyre pas mbi një gjysmë shekulli, e vazhduan edhe bijtë e tyre, duke iu bashkuar radhëve të ushtrisë së lavdishme të UÇK-së edhe Hesat Axhami.
Hesati shkollën fillore e filloi në fshatin Bob, kurse e përfundoi në shkollën “Emin Duraku” në Kaçanik. Shkollën e mesme, drejtimi ekonomik, e kreu në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik. Pas përfundimit të shkollës së mesme me sukses shembullor, regjistrohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Për shkak të situatës së rëndë, që mbretëronte aso kohe në Kosovë, Hesati detyrohet që si absolvent të ndërpresë studimet dhe të largohet nga vendlindja për në mërgim, ku jetoi dhe punoi atje për disa vite me radhë. Gjatë qëndrimit në mërgim Hesati dallohet për ndihma humanitare që bëri ndaj shumë familjeve të varfëra në vendlindje. Duke kuptuar qysh herët se liria Kosovës i duhet patjetër, ai angazhohet me lëvizjet që ekzistonin në perëndim. Fillimi i luftës Hesatin e gjeti ne vendlindje, së bashku me familjen e tij, kur ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Hesati ishte djalë, në mesin e shtatë vëllezërve të tij. Lufta zgjerohet çdo ditë e më shumë në Kosovë e po ashtu edhe në Kaçanik. Hesati vihet menjëherë në krye të detyrës, i vendosur dhe i patrembur për të ndihmuar popullatën e po ashtu edhe luftën çlirimtare, ku celulat e para i gjen tek njësiti i logjistikës për furnizim me armatim të territorit të Kaçanikut dhe zonave të tjera të luftës në Kosovë. Mobilizimit të burrave të kësaj treve i bashkohet edhe Hesati. Ishin mjaft mirë të organizuar dhe të përgatitur për çdo sfidë eventuale. Luftëtarët e lirisë të kësaj treve, e cila veproi nën komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, ku luftuan për atdhe dhe komb. Hesati shquhet për ndihmën që u bëri familjeve, gjatë tërheqjes së popullatës në fshatin e tij të lindjes, në Llanishtë së bashku me njësitin i cili vepronte në rajonin Gjurgjedell-Llanishtë, ku kryente të gjitha detyrat që ia parashtronte lufta. Ata zhvilluan luftime të përgjakshme në tërë territorin e komunës së Kaçanikut me rrethinë e më gjerë, ku ai ishte pjesëmarrës i të gjitha betejave të lavdishme. Hesati bie heroikisht në krye të detyrës, më 19. 5.1999 gjatë një ofensive të madhe të ndërmarrë nga forcat serbe në fshatin Llanishtë. Esat Axhami ishte i sistemuar në Kompaninë e Batalionit të Dytë, e cila vepronte në këtë pjesë.
Burhan Zeneli, ishte djalë i vetëm i prindërve Mexhid dhe Zizë Zenelit, i cili lindi më 25 shkurt 1975, në fshatin Bob të Kaçanikut. Kjo familje kishte vetëm dy fëmijë Burhanin- Bulin dhe vajzën Imranen.
Burhani Shkollën fillore “Idriz Seferi” e kreu në vendlindje kurse të mesmen e kreu në Kaçanik. Ai ishte detyrua ta ndërpresë shkollën e mesme për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ku angazhohet rreth sigurimit të ekzistencës së familjes. Meqenëse rrethanat ishin të tilla, prindërit e Burhanit nuk dëshironin që djali i tyre të largohej nga vendi për të marrë rrugën e kurbetit, prandaj ai vendosi të qëndrojë në vendlindje, ku u punësua në shkollën e fshatit si punëtor ndihmës. Lufta Çlirimtare e gjeti Burhanin të përgatitur për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u rreshtua në UÇK në Kompaninë e Parë të Batalionit të Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Mori pjesë në luftimet e datës 28. 2. 1999 në Gajre, më 8.3.1999 në Ivajë, më 24.3.1999 në Ivajë dhe Kotlinë e në shumë aksione dhe luftime të tjera, deri më 19.5.1999, kur në luftë ballë për ballë me armikun bie heroikisht në fshatin Llanishtë të Kaçanikut.
Në këto beteja luftarake Hesat Axhami dhe Burhan Zeneli treguan trimëri, guxim dhe qëndresë, duke mos lejuar që forcat serbe të depërtojnë në këtë fshat. Forcat serbe i kishin sulmuar pozicionet e UÇK-së me forca të mëdha. Ishin këto forca tepër të pabarabarta, ku u zhvillua një luftë e shpejtë. Për shkak të mungesës së armatimit njësitë e UÇK-së u detyruan të tërhiqen dhe kishin ndërruar vendin e luftimit.
Burhan Zenelin ishte pjesëmarrës i të gjitha betejave të zhvilluara në Kaçanik. Rruga luftarake e Burhanit ishte e gjatë dhe me plot sakrifica, por e lavdishme dhe krenare. Mori pjesë edhe në shumë aksione kundër forcave serbe. Forcat serbe, të befasuara nga aksionet e fuqishme të tij me bashkëluftëtarë, kishin tentuar të hakmerren në popullatën civile, duke djegur e shkatërruar tërë fshatin Llanishtë. Ai gjithherë ishte në vijën e parë të frontit dhe shembull për bashkëluftëtarët e vet. Burhan Zeneli iu bashkëngjit njësitit i cili vepronte në rajonin Gjurgjedell-Llanishtë, ku kryente të gjitha detyrat luftarake që ia parashtronte komanda. Këto detyra i kreu deri në momentin e rënies heroike, në krye të detyrës, më 19 maj 1999, gjatë një ofensive të madhe të ndërmarrë nga forcat serbe me bashkëpunëtorët e tyre në këto anë. Esati ishte një djalë shumë i vendosur dhe trim, bujar dhe ishte i dashur për të gjithë ata që e njihnin. Me sakrificën e tij heroike u bë shembull për bashkëluftëtarët e tij. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Esatit ishin: Burhan Zeneli, Zekirija Axhami, Muzafer Çaka e shumë të tjerë
Atë ditë, në fushën e luftimeve, pësuan me jetë edhe shumë nga forca armike nga zjarri i plumbave nga Burhan Zeneli, Esat Axhami dhe nga bashkëluftëtarët e tyre. Forcat serbe kishin sulmuar pozicionet e UÇK-së në orët e hershme të mëngjesit, të cilat kishin lëvizur nga Qafa e Drenushës dhe kishin filluar të djegin shtëpitë deri në Llanishtë
Esat Axhami shquhet për ndihmën e madhe që u bëri familjeve, gjatë tërheqjes së popullatës në fshatin e tij të lindjes, në Llanishtë së bashku më njësitin, i cili vepronte në këto anë. Ai kryente të gjitha detyrat që merrte nga eprorët e tij. Esati tregoi trimëri, guxim dhe qëndresë, duke mos lejuar që forcat serbe të depërtojnë në këtë fshat. Ai mori pjesë edhe në shumë aksione kundër forcave serbe deri në momentin e rënies heroike.
Burhan Zeneli, nga dashuria e madhe për liri të popullit dhe atdheut, edhe pse ishte i vetmi djalë në familje vendosi të i bashkëngjitet UÇK-së. Ishte besnik, guximtar, këmbëngulës i sakrificës sublime, i bindur se zgjidhja përfundimtare e Kosovës bëhet vetëm me luftë të armatosur e çlirimtare, i gatshëm të shkrihet në çdo çast për detyrat dhe obligimet në luftën për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. I tillë ishte deri në momentin e rënies heroike.
Sot, falë luftës çlirimtare, qëndresës, heroizmit, sakrificës sublime të popullit dhe të gjithë të rënëve për liri, Kosova dhe shqiptarët janë të lirë dhe kanë aleatë faktorët më të përparuar të botës. Pra, falë politikes së shqiptarëve, UÇK-së si bartëse e kësaj lufte, falë refuzimit total të bashkëpunimit me pushtuesin serb, sot e kemi NATO-n dhe SHBA, shtetet e përparuara dhe demokratike i kemi në rajonin tonë.
Padyshim lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër, ishte luftë çlirimtare. Tendencat për denigrimin dhe njollosjen e UÇK-së janë të rënda, janë dhe të papranueshme, por janë dhe pjellë e propagandës shoviniste serbosllave për ta njollosur luftën tonë dhe bartësit e saj. Qendrat e vendosjes ndërkombëtare në vend që ta dënojnë Serbinë për luftërat ekspansioniste të saj, për krimin dhe gjenocidin shtetëror që shkaktoi në Kosovë, për dëbimin biblik të rreth një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre, për dhunimet dhe të gjitha dëmet tjera, ata ose disa prej tyre tentojnë ta denigrojnë dhe dënojnë luftën tonë. Kjo është një padrejtësi e madhe që tentohet t’u bëhet shqiptarëve. Kjo është e papranueshme për ne.
Lufta çlirimtare e lavdishme dhe heroike, e UÇK-së, me përkrahjen e madhe të popullit liridashës dhe gjaku i dëshmorëve dëshmon më së miri se një popull që lind bij e bija të tilla, pavarësisht nga vështirësitë që i dalin përpara, të ardhmen e ka të ndritur. Dëshmi e fortë e kësaj janë edhe Dëshmorët e Kombit Hesat Axhami dhe Burhan Zeneli.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë të rënëve për liri në gjitha periudhat historike!
Nderim Veteranëve të UÇK-së dhe gjithë veprimtarëve të kombit!
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës