Shoqata “Pëllumbi i Paqes” në Zvicër nderon post-mortum ish drejtorin e RKL-së, prof.Ahmet Qeriqin për kontributin e jashtëzakonshëm kombëtar

Shoqata Internacionale Humanitare “Pëllumbi i Paqes” me seli në Zvicër ka ndarë një mirënjohje post-mortum për profesor Ahmet Qeriqin, ish-drejtorin e Radios Kosova e Lirë, në shenjë respekti dhe vlerësimi të lartë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare dhe përpjekjet për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

Mirënjohja u dorëzua në një ceremoni simbolike nga udhëheqësja e shoqatës, veprimtarja Behide Hasanaj, e cila theksoi se figura e Ahmet Qeriqit do të mbetet përherë një emër i respektuar në historinë e qëndresës dhe mendimit të lirë shqiptar. Hasanaj u shpreh se puna e tij si intelektual, gazetar dhe veprimtar ishte frymëzuese dhe jetike në kohët më të vështira për kombin.

“Ahmet Qeriqi nuk ishte thjesht një drejtues i radios së rezistencës, por një zë i së vërtetës, një ndërgjegje kombëtare që i qëndroi besnik idealeve të lirisë deri në fund. Me fjalën, mendimin dhe guximin e tij, ai e ndihmoi popullin tonë të ruante shpresën dhe orientimin në momentet më të errëta”, u tha gjatë dorëzimit të mirënjohjes.

Ky nderim post-mortum përkon me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe mallëngjimi e një prej figurave më të angazhuara të mendimit kritik dhe patriotik shqiptar. Profesori Qeriqi kujtohet për stilin e tij të veçantë, përkushtimin e palëkundur ndaj kombit dhe rolin që pati në përhapjen e informacionit të saktë e të paanshëm gjatë luftës dhe pas saj.

Shoqata “Pellumbi i Paqes” vlerëson se kujtimi për veprën dhe jetën e Ahmet Qeriqit duhet të mbetet një burim frymëzimi për brezat e rinj, si dëshmi e asaj se fjala, e thënë me dinjitet dhe e mbrojtur me kurajo, mund të jetë po aq e fortë sa arma.

Kontrolloni gjithashtu

Ambasadori Guerot në Ditën Kombëtare të Francës, bën thirrje për kompromis politik në Kosovë

Në kuadër të festimeve për Ditën Kombëtare të Francës, Ambasada franceze në Prishtinë ka pritur …