Kuvendi i Kosovës po dështon të zgjedhë kryetarin e ri, duke e thelluar bllokadën institucionale që po zvarritet prej betimit të deputetëve më 19 prill, pas zgjedhjeve të parakohshme të 9 shkurtit. Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur asnjëherë të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash. Kjo situatë ka sjellë pasoja të rënda ekonomike për vendin, me miliona euro humbje për shkak të mosfunksionimit të institucioneve. Analisti politik Visar Ymeri ka akuzuar drejtpërdrejt liderin e VV-së, Albin Kurti, për mosgatishmëri për kompromis dhe për bllokimin që po paralizon shtetin. “Kjo bllokadë e nxitur nga Albin Kurti është duke i shkaktuar vendit humbje milionëshe. Kostoja për vendin po rritet çdo ditë dhe Kurti nuk po e sheh si urgjencë themelimin e institucioneve. Loja e tij politike po e varfëron Kosovën,” u shpreh Ymeri .
