Hajrush Kurtaj: Në kujtim të 26- vjetorit të rënëve në masakrën e  22 majit 1999, në Burgun e Dubravës

Kujtesa historike e popullit tonë, mbanë gjallë dhe në mënyrë të pandërprerë rrit ndërgjegjen e popullit mbi origjinën e tij, mbi përpjekjet e tij për të ruajtur identitetin, po ashtu edhe për të kujtuar vuajtjet, sakrificat dhe fitoret gjatë kohërave që kaluan. Sot kujtojmë 26 vjetorin e rënies së dëshmorëve :Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka dhe Avdylgafurr Luma.

Danush Miftar Kurtaj, lindi më 8 mars 1961, në fshatin Gabrricë të komunës së Kaçanikut. Prindërit, nënë Eminja dhe babë Miftari u gëzuan edhe për një krahë pune edhe për një luftëtar, edhe për një pushkë më tepër përballë armikut. Ky vit ishte viti i terrorit të Rankoviqit dhe klikës së tij, ideologjia e të cilëve iu mbështet në elaboratin famëkeq të Vaso Cubrilloviqit për dëbimin dhe likuidimin fizik të pakicave në Jugosllavi e sidomos të shqiptarëve. Fatbardhësisht, Danushi lindi në një familje patriotike që brez pas brezi ka kultivuar dashurinë për kombin dhe shtetin shqiptarë.  Kjo, traditë e atdhedashurisë, besës, burrërisë, dinjitetit dhe të nderit, si vlera sublime të njerëzisë, të moralit e të etikës, ngjeshte dhe akumulonte çdo ditë e më tepër në mendjen e hollë të Danushit në oda të miqve, ku dëgjonte fjalët e pleqve të mençur, të urtë dhe të arsyjes.

Anton Cetta, plaku i pajtimeve të gjaqeve, ka pas thënë për Odën e miqve se e ka luajtur rolin e Universitetit Kombëtar. Këtë rol të Universitetit- Oda e Miqve e ka luajtur shekuj me radhë dhe ka qenë institucioni i parë i edukimit të mirëfilltë të rinisë shqiptare.  Në oda të miqve pleqtë u rrëfenin gjeneratave të reja përvojat e tyre të përjetuara për të nxjerrë mësim në të ardhmen dhe pastaj filloi edhe shkollimi i Danushit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Elezaj dhe në Doganaj, ndërsa të mesmen në Kaçanik. Danushi, si fëmijë u ballafaqua me padrejtësitë dhe me terrorin e regjimit bolshevik – titist mbi popullatën shqiptare të udhëhequr nga ana e gjakpirësve shqiptarofil Tito – Rankoviq, prandaj e përjetoi edhe skamjen edhe varfërinë ekstreme.

Sipas politikës perfide edhe djallëzore për pastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta mijëvjeçare, si mjet e metodë bizantine – sllave, u përdorë papunësia. Shqiptarëve i rekomandohej të shkojnë e të punojnë në republika të tjera ku investohej me të madhe, ndërsa në Kosovë s’kishte investime. Kështu edhe Danushi, sikurse mijëra djelmosha shqiptarë, u detyrua ta lëshojë Kosovën e bekuar dhe familjen e dashur për të gjetur punë. Pagat në sipërmarrjet ndërtimore ishin të mjerueshme, gati në nivelin e lëmoshës. Prandaj, pas një kohe të shkurtër, Danushi detyrohet të emigrojë në Gjermani.

Danushi, që në rini e përjetoi aparteidin dhe segregacionin serb ndaj shqiptarëve. Në mërgatë (në Diasporë), shpesh i kujtoheshin fjalët e pleqve të urtë në Oda të Miqve: “Eh, more burra! Shkau rahmet s’ka!” Synimi i armikut serb e grek është shfarosja biologjike e shqiptarëve me metodat më çnjerëzore, më brutale dhe më vandale në stilin e hunëve, tatarëve, mongolëve e të sllavëve.

Larg familjes dhe Kosovës së dashur, i përmalluar për dashurinë e ngrohtë familjare; për bisedat burrërore në Oda të Miqve; për fjalën e ëmbël shqipe, për dasmat, këngët e valët shqiptare, për mbrëmjet shoqërore të djelmoshave shqiptarë, për buzëqeshjen e ëmbël prindërore dhe të vashave selvi shqiptare, për fushat e gjelbra dhe malet e larta me borë, si plisat e bardhë  dhe mbi të gjitha, kur e kujtonte gjendjen e mjerë të popullit shqiptar nën thundrën gjakpirëse serbe, Danushin dita e ditës sikur e hante vendi i huaj. Ndikim të madh dhe vendimtar për Danushin që të kthehet në Kosovë, ishte veprimtaria Kombëtare e Lëvizjes Popullore të Kosovës me vendimin e prerë të saj për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartëse e luftës së saj  për sendërtimin e aspiratave shekullore ( si vazhdimësi e Lëvizjeve të mëparshme të Rezistencës kombëtare) për liri, pavarësi dhe bashkimin e trupit dhe të shpirtit Kombëtar, si të vetmen mënyrë që e njihte Millosheviqi dhe qarqet e errëta sllavofile e albanofile evropian. U pa dhe u dëshmua se lufta pasive dhe paqësore me negociata e marrëveshje ( politikë kjo e imponuar shqiptarëve nga qarqet kozmopolite e naive euro-perëndimore, duke mos e njohur egërsinë, brutalitetin, vrazhdësinë dhe vandalizmin sllav) me një regjim fashist bolshevik të udhëhequr nga Millosheviqi si sendërtues i politikës kundër shqiptare, sipas elaborateve, memorandumeve, rezolutave dhe plan-programeve naci-raciste të Vaso Qubrilloviqit, Akademisë së Shkencave e të Arteve Serbe, Kishës Ortodokse Serbe, Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe dhe të Partive politike e institucioneve të shumta serbe; se kjo politikë pasive, paqësore dhe njerëzore nuk po japin rezultatet e duhura, popullata shqiptare u detyrua, për të satën herë, t’i kapë armët për ta mbrojtur nderin dhe dinjitetin individual, familjar, kombëtar dhe njerëzor.

Edhe Danushi, së bashku me qindra e mijëra djelmosha dhe vasha të reja patriotike e lë kopshtin me lule të Evropës së vetëkënaqur me standardin e lartë dhe mirëqenien materiale, për ta ndarë fatin e popullit të vet në gjak e në lot. Ndërkohë, vëllezërit e Danushit, tashmë ishin inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës: Xheladini, Hajrushi, Afrimi, Raifi dhe kushëriri Fatmiri.

Inkuadrimi aktiv i Danushit bëhet në qershor të vitit 1998. Prej kësaj kohe ai ishte në bashkëveprim me Agimin, Qamilin, Xheladinin, Hajrushin, Izahir Tronin, Haki Tronin dhe Shefket Tronin si dhe shtëpia e tij ishte bërë bazë e UÇK-së e meqë e tërë familja e tij ishte në shërbim të UÇK-së. Më 9 Gusht 1998, Danushi ishte në rradhët e njësitit të parë çlirimtar të rrethit të Kacanikut, ku ishin: Agim Bajrami, Qamil Ilazi, Afrim Kurtaj, Raif Kurtaj, Besnik Begunca e Razim Hasaj.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e vërtetoi dhe dëshmoi thënia e të madhit Hasan Prishtina “ më shumë vlen krisma e një pushke në mal, se sa në parlament një thes fjalë”.

Më 10 gusht 1998, me ndihmën e tradhtarëve shqipfolës gjakprishur, moralmjerë, shpirtshitur dhe shpirtshëmtuar, rrethohen: Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca nga forca të mëdha ushtarako-policore serbe në shtëpi të Miftar Kurtajt, prind i Danushit dhe Xheladinit. Ishte rrethuar jo vetëm shtëpia e Miftar Kurtajt, por edhe tërë fshati Gabrricë, ku fillon lufta e pabarabartë në mes të ushtarëve të UÇK-së kundër ushtarëve e policëve serbë. Këtu u përsërit lufta legjendare e Adem Jasharit. Trimat e Kaçanikut nuk u dorëzuan. Luftuan me një heroizëm të paparë. Këta djelmosha i treguan Evropës cinike dhe të vetëkënaqur se shqiptari di se si ta mbrojë nderin dhe dinjitetin e vet. Di të mbrojë pragun e shtëpisë së vet dhe trojet e veta mijëvjeqare nga ardhacakët barbarë sllavë përtej Karpateve.

Pas rënies së këtyre tre heronjve, forca të mëdha ushtarake epolicore serbe depërtojnë në kullë të Miftar Kurtajt dhe arrestojnë Danushin dhe Fatmir Kurtajn. Por këta liridashës i privojnë nga liria edhe bashkëshorten e Danushit, Bylgyzaren dhe kunatën Havushen. Pas maltretimeve psikike me anë të bisedave “informative”, gratë i lirojnë.

Tefik Bafti Raka – u lind më 14 mars 1939 në qytetin e Kaçanikut. Ishte bir i një familjeje punëtore. Babai Baftiu dhe nëna Arife rritën 9 fëmijë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje si nxënës i dalluar. Kushtet ekonomike asokohe ishin shumë të rënda dhe kërkohej sakrificë për t’i vijuar mësimet në ndonjë shkollë të mesme. Mirëpo, babai Baftiu duke parë perspektivën e djalit që e kishte kryer shkollën fillore me sukses shembullor vendosi ta regjistrojë në Normalen e Prishtinës, asokohe ishte në gjeneratën e dytë të saj. Si nxënës i kësaj shkolle dallohet në mësime dhe sjellje me cka edhe gëzonte simpatinë e gjithë profesorëve (edukatorëve) të kësaj shkolle. Në Normalen e Prishtinës Tefiku u dallua si në mësime ashtu edhe në aktivitete jashtëmësimore. Ishte aktiv në çdo pjesë të jetës dhe veprimtarisë në shkollë. Gjatë kohës banonte në konviktin e kësaj shkolle, ishte aktiv në organizimin e jetës dhe punës në kolektiv, që ishte i banuar me nxënës të mjediseve të ndryshme të Kosovës dhe trevave shqiptare.

Shkollimi në Normalen e Prishtinës e pajisi me dije dhe e brumosi me ideale atdhetare, të cilat e kanë përcjellë gjatë gjithë jetës. Pas përfundimit të shkollës Normale filloi punën në Shkollën fillore “Emin Duraku”, që ishte një ndër shkollat e para tetë vjeçare në komunën e Kaçanikut. Kështu ëndrra e tij, prej arsimtari, u dallua me plotë vrull për punë të përkushtuar edukativo-arsimore, meqë  nuk kursente asgjë për të mirën e tyre. Edhe nxënësit e çmonin së tepërmi. Si punëtor i palodhshëm ai nuk ishte i kënaqur vetëm me shkollimin e mesëm. Ndërkohë regjistrohet në Akademinë Pedagogjike të Shkupit, në degën Histori-Gjeografi, të cilën e kryen me sukses dhe zë vend pune si arsimtar i historisë. Si student i Akademisë Pedagogjike të Shkupit ishte i dalluar. Profesorët e cilësuan si shumë të dalluar dhe me afinitet për punën edukativo-arsimore për brezat e ardhshëm.

Me sukses në vitin 1968 kreu Akademinë Pedagogjike në Shkup dhe gjatë kësaj periudhe si edukator dhe arsimtar i shumë gjeneratave të komunës së Kaçanikut është treguar edhe si veprimtar i dalluar. Ai nuk e kursente edhe djersën e as shëndetin për të mirën e nxënësve të banorëve të kësaj treve. Duke qenë i entuziazmuar për shkollim, vazhdoi studimet universitare, të cilat i kreu në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë në Prishtinë. Në vitin 1977 kreu studimet pasuniversitare në Prishtinë dhe mori gradën shkencore, magjistër i historisë, me temën “Lëvizja Kulturore-Arsimore Shqiptare 1908-1912”. Në vitin 1998 botoi librin “Kaçaniku me rrethinë 1912-1918, masakrat, internimet, qëndresa”. Ky studim u kushtohej viktimave dhe martirëve të rënë në mbrojtje të tokave stërgjyshore të kësaj treve. Në këtë libër faktografik janë shqyrtuar dhe janë shpalosur ngjarjet për herë të parë në territorin e Kaçanikut, me rrethinë të cilat i kanë paraprirë dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në masakra, internime dhe në qëndresën e popullit në këtë trevë në periudhën e viteve 1912-1918, gjatë kohës së okupimit serb dhe bullgar.

Periudha e studimeve të tij kap kohën prej Rilindjes sonë Kombëtare e deri në ditët e sotme. Deri më tani publikoi shumë punime dhe studime profesionale e shkencore si: Lufta rreth çështjes së alfabetit dhe Kongresi i II i Manastirit, “Jehona”, nr. 9-10, Shkup 1978; Formimi i klubeve kombëtare shqiptare dhe aktiviteti i tyre kulturoro-arsimor 1908-1910, “Jehona, nr.10, Shkup 1980; 85 vjetori i Epopesë së Kaçanikut (1910), “Bujku”, (6-12 maj 1995), Prishtinë; Sinan Pasha- themelues i Kacanikut, “Bujku”, (12-18 mars 1996); Hani i Elezit u emërtua me dhunë Gjeneral Jankoviq, “Bujku”, (10 janar 1966); Kuvendi i Ferizajt më 1908 në dritën e dokumenteve austro-hungareze, “Gjurmime Albanologjike, (seria e shkencave historike), 25/1995, Prishtinë 1997, etj. Me kumtesa të ndryshme u paraqit në simpoziume dhe në tubime shkencore.

Dëshmori Tefik Raka, krahas ndihmës së pakursyer që gëzonte nga shumë kolegë dhe vendës të tij, kishte prirje t’i përfitonte njerëzit në bashkëveprim, me gjithë respektin e kultivuar edhe nga gjenerata  të tëra nxënësish, të bindur nga ligjëratat e tij, për dashuri ndaj vendlindjes, ndaj atdheut, e ndaj njerëzve në përgjithësi. U dallua si mësues, arsimtar dhe profesor i historisë në shkollat fillore dhe të mesme të Kaçanikut. 10 vite 1972-1981 ishte sekretar i Bashkësisë Komunale në Arsim. Gjatë kësaj kohe me angazhimin e tij u ndërtuan 17 objekte të shkollave fillore dhe të mesme në Kaçanik e rrethinë. Gjatë viteve 1981-1983 ishte Kryetar i komunës së Kaçanikut. Ishin këto vitet e Lëvizjes Pranverore, ku për shkak të idealeve arsimdashëse dhe përparimtare, pas kalimit të mandatit të kryetarit të komunës, u dënua me vërejtje të fundit partiake, për vepra jashtë platformës së Lidhjes së Komunistëve të ish-Jugosllavisë. Prej vitit 1983-1995 plot 12 vite punoi këshilltarë i lartë arsimor në Entin Pedagogjik në Ferizaj. Prej kësaj kohe inspektor komunal i arsimit në Kacanik. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri”. Tefiku, ishte veprimtar i gjithanshëm. Vepronte gjithmonë kur e kërkonte momenti historik,kur e kërkonte koha, meqë ishte i rreshtuar me kohë në të mirë të kombit dhe në shërbim të atdheut. Gjithnjë në aksion të pandërprerë, në misionin që kishte përcaktuar populli e që e kërkonte atdheu përsëri arrestohet më 10 gusht 1998 nga forcat policore serbe.

 

 

Mejdi Hajrush Dalloshi u lind më 1 janar të vitit 1944, në lagjen Soponicë të Doganajve të Kaçanikut. Në fshatin e lindjes mbaroi 4 vitet e para të Shkollës fillore, kurse katër vitet e tjera i përfundoi në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Kaçanik, ishte nxënës i dalluar. Mejdiu fëmijërinë e kishte kaluar në skamje, ashtu si shumica e fëmijëve të trevës së Kacanikut. Familjen e mbante vetëm babai i tij, Hajrushi. Pas Shkollës fillore vazhdoi shkollimin e mesëm në Ferizaj, në Shkollën e Normales. Mejdiu merrej me aktivitete jashtë mësimore. Në vitin 1966 si mësues i ri dallohej në punën me nxënës me aktivitetet e organizuara në shkollë dhe jashtë saj. Ishte bërë shembull dhe kishte krijuar emër pedagogu në kolektivin e Shkollës fillore në fshatin Biçec, në Shkollën fillore “Emin Duraku”, në fshatin Bob dhe Gajre.

Ndërkohë regjistrohet në Fakultetin Filologjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Prishtinë. Pas përfundimit të Fakultetit 1974/1975 punësohet në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kacanik. Që në orët e para të punës u angazhua në krijimin e kushteve të punës. Në kohën e demonstratave gjithpopullore në Kosovë edhe në komunën e Kacanikut, më 5 maj 1981, u dallua duke i përkrahur haptazi kërkesën për Republikë. Për shkak të bindjeve të tij politike dhe ideve kombëtare, Mejdi Dalloshi përjashtohet nga procesi edukativo-arsimor.

Vitet 1992-1996, periudhë kur okupatori serb kishte mbyllur objektet e shkollave të mesme, shtëpia e tij dhe e familjes së gjerë mbi qytetin e Kaçanikut u bë qerdhe e edukimit të nxënësve për të mbijetuar arsimi në shtëpitë shkolla. Angazhimi i tij me shokët u dallua edhe më 7 shtator të vitit 1990 për përgatitje , në Shtëpinë e Kulturës që sot mban emrin e dëshmorit “Xheladin Kurtaj”, për shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mejdiu i takonte plejadës së militarëve të paepur të Lëvizjes për çlirimin e Kosovës. Ishte personalitet i dalluar dhe me sukses gjatë vitit 1991, si udhëheqës i sektorit të arsimit në komunën e Kaçanikut.

Më 11 prill 1995 arrestohet nga forcat serbe me akuzën për veprimtari armiqësore, meqë punonte me planprogramet e Republikës së Kosovës. Pas maltretimit dhe marrjes së tij në bisedë informative, pas 5 ditësh arresti lirohet me kusht, por aktiviteti i tij vazhdon për realizimin e qëllimit final për çlirimin e Kosovës. Përsëri arrestohet nga forcat serbe më 10 gusht 1998.

 

 

Avdylgafurr Merxhan Luma u lind më 12 prill të vitit 1961. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në rrënjët e Sharrit vigan, në majën e të cilit Gafurri kishte shkelur shpeshhherë për të vështruar Kosovën, Shkupin e Pollogun. Kishte dëshirë të njihte bukuritë e atdheut. I etur për dituri, pas shkollës fillore regjistrohet në gjimnazin e Kacanikut. Meqë Gjimnazi nga vendlindja e Gafurrit ishte larg dhe kushtet për të udhëtuar të rënda, ai do të banojë në një banesë private në Lagjen Bob, por mësimit nuk iu nda, sepse më kohë e kishte kuptuar se arsimimi i shqiptarëve ishte domosdoshmëri. Lexonte libra të ndryshëm dhe shtypin ditor. Në banesën private, në Lagjen Bob, kontakton veprimtarin Ferid Çallakun nga fshati Gajre, i cili që herët ishte angazhuar në veprimtarinë ilegale dhe njëherësh ishte njëri ndër organizatorët e demonstratave të 5 majit të vitit 1981 në Kaçanik dhe më pas i dënuar me burg politik. Gafurri kishte rënë në kontakt me Lëvizjen ilegale kombëtare të kohës, prandaj, nën ndikim të Feridit e të veprimtarit Kadri Luzha, bashkë me shokun e shkollës Remzi Elezin, që nga viti 1980 përfshihet në veprimtarinë atdhetare.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Avdylgafurr Luma në vitin 1980, ftohet në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, pas të cilit shërbim, në tetor të vitit 1981 fillon studimet në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë, ku arrin t’i përfundojë 3 vite.

Demonstratat e vitit 1981 bënë kthesë të madhe historike, andaj, jo vetëm që i përkrahu ato, por aktivitetin e tij politik e drejton në propagandimin e kërkesës “Kosova-Republikë”. Bashkë me Remzi Elezin, vazhdon punën e filluar që nga viti 1980 edhe pse organizata ku vepronin ata, tanimë përballej me hetuesi me torturat e tmerrshme të UBD-së. Avdylgafurri përsëri bie në kontakt me shtypin ilegal, përkatësisht me revistën “Liria”, e cila shpërndahej dorë më dorë nëpër Kosovë e që Avdylgafurri numrin e saj të parë e kishte pasur që në vitin 1980. Gazetën si dhe traktet e komunikata të ndryshme, pos që i lexonte, ia jep edhe studentit të fakultetit Juridik Bajram Dernjanit nga Paldenica e Hanit të Elezit. Ndërkohë në fshatin Sllatinë në një objekt të vetmuar, formohet edhe Komuniteti i rrethit për Kacanik dhe në mbledhjen konstituive të Komitetit marrin pjesë: Remzi Elezi, Avdylgafurr Luma, Bajram Dernjani dhe Remzi Krraba. Në këtë mbledhje Remzi Elezi zgjidhet sekretar organizativ ndërsa Avdylgafurri ngarkohet me detyrën e sekretarit në propagandë dhe agjitacion, ku edhe i caktohet emri konspirativ “Avdiu”. Asokohe shfaqet nevoja për ngritjen e një baze të tipografisë. Ilegalët së bashku me Avdylgafurrin, një makinë shkrimi e sigurojnë nga grupi i Paldenicës. Pas formimit të këtij grupi komiteti të cilit i bashkohen edhe Bajram Dernjani, Shaban Çupi, Sejdi e Naser Dernjani, (grup i cili deri në këtë fazë kishte vepruar i pavarur). Komiteti i Rrethit për Kaçanik do të masivizohet duke përfshirë edhe Remzi Krrabën (i dënuar edhe më parë), Mifail Vishin, Ismail Malsiun, Kadri Rakën, Emrush Tafilin, Muhamet Qorrin dhe të tjerë, të cilët gjatë procesit të hetuesisë mbetën të pazbuluar. Gjatë pritjes organizative, grupi shkëmben materialr, të tjera ilegale si Projekt-Programin dhe Projekt-Statutin e Organizatës, revistën “Pararoja”, shumë ekzemplarë të revistës “Zëri i Kosovës”, “Këngët e Lirisë”, “Pushka Amanet”, librin “Titistët, traktin kundër tradhtisë, traktin “Armiku na ka në dorë vetëm aq sa lejojmë ne vetë”, e materiale të tjera ilegale.

Në vazhdim të këtij aktiviteti që ideja të përhapej në cdo shtëpi shqiptare, më 4 nëntor të vitit 1985 zbulohet organizata, e cila kishte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare e në këtë rast zbulohet  edhe Komiteti i Rrethit për Kaçanik dhe krahas arrestimit të anëtarëve të tjerë, më 12 nëntor arrestohet edhe Avdylgafurr Luma dhe pas hetimeve 6 mujore në Gjilan, Prizren, ai më 9.6.1986 dënohet me 4 vite burg, në kuadër të grupit të veprimtarëve prej 23 pjestarëve. Pas daljes nga burgu, Avdylgafurr Luma do të vazhdojë edhe më pas studimet e mbetura nga arrestimi i parë, por kushtet e vështira ekonomike dhe situatë gjithnjë e më e rëndë, që pasoi pas viteve 90-ta, Avdylgafurri një kohë punon mësues në shkollën “Kongresi i Manastirit” në Qafëshqipe e më pas si sekretar i kësaj shkolle.

Krahas përballimit me kushtet e vështira ekonomike, kontributin e tij Avdylgafurri e jep edhe ne jetën politike, qoftë në Këshillin e Financave, në KMLDNJ, qoftë në alternativën politike. Për shkak të aktivitetit legal politik, disa herë do të ftohet në sigurimin shtetëror serb në të ashtuquajturat biseda informative. Por meqë situata politike në Kosovë gjithnjë e më tepër ashpërsohej e dhuna kishte prekur pothuajse cdo derë të shqiptarëve, Avdylgafurr Luma, kontakton me veprimtarin e njohur, Ekrem Jasharin, nga i cili njihet më shumë lidhur me ekzistimin e UÇK-së. Bislim Zogaj nga Drenasi, tregon se në muajin shkurt të vitit 1996, për nevojat e bërthamave tashmë të formuara dhe aktive në zonën e Drenicës, kishte arritur një pjesë e armatimit nga perëndimi, deri në brezin kufitar me Maqedoninë. Përsëri arrestohet më 10 gusht 1998. Në mbështetje të UUëjK-së Avdylgafurri ishte me komplet familjen e sidmos me përkrahje të madhe nga vëllai Qani Luma i cili ra heroikisht në betejën e Ivajës,më 8 mars 1999.

 

 

Më 10 gusht 1998, pas luftimeve në fshatin Gabrricë, kur heroikisht bie komandanti Agim Bajrami me bashkëluftëtarët e tij, Besnik Begunca, dhe Xheladin Kurtaj, policia serbe arrestoi: Danush Kurtajn, Fatmir Kurtaj, Mejdi Dalloshin, Tefik Rakën, Hasan Dalloshin dhe Avdylgafurr Lumën. Ata bëjnë përpjekje për të arrestuar edhe Qamil Ilazin, Hajrush Kurtaj, Berat Luzhën, Reshat Salihun, Bexhet Imishtin, dhe Naser Kukën, por nuk ia arritën sepse këta tashmë gjendeshin në zonat e luftës clirimtare. Të arrestuarit dërgohen në burgun e Ferizajt. Ndërkohë ata dërgohen në Burgun Hetues të Prishtinës, kundër të cilëve ngrihet aktakuza që i rëndonte me formimin e njësiteve të UCK-së. Në procesin gjyqësorë i organizuar nga organet okupuese, gjykohen dhe dënohen më një shekull burg të rëndë. Në këtë proces gjyqësorë dënohen: Danush Kurtaj, Fatmir Kurtaj, Avdylgafurr luma, Hasan Dalloshi, Tefik Raka, dhe Mejdi Dalloshi. Në mungesë dënohet Hajrush Kurtaj, Qamil Ilazi, Berat Luzha, Bexhet Imishti, Naser Kuka dhe Reshat Saliaj. Burgun e vuajnë në Gjilan, deri me 30 prill 1999, ku i dërgojnë në Burgun e Dubravës dhe aty me 21,22,23 maj 1999 i pushkatojnë. Trupat e tyre të pajetë gjenden në varreza masive në Rakosh, ku pas identifikimit të tyre Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” në bashkëpunim me familjet e dëshmorëve i varros në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

 

Motrat dhe vëllezërit shqiptarë që me vetëdije ia kanë nisur veprimtarisë kombëtare, duke e marrë parasysh burgun, vuajtjet, edhe vdekjen; duke e shqelmuar rehatinë dhe jetën komfore për veten dhe familjen; duke e zgjedhur rrugën me gjemba në vend të rrugës më lule; duke e ndarë fatin e hidhur të popullit të vet, kanë qenë dhe janë shtresë më e shëndoshë dhe bartës së moralit, dinjitetit dhe krenarisë së popullit shqiptarë. Këto vasha dhe këta djelmosha, me vetëdije e kanë zgjedhur më mirë terrin e burgut sesa dritën e robërisë.

Burgjet në trevat shqiptare, që nga Perandoria Bizantine, Romake, osmane, të skllavëve të jugut dhe të grekëve, e kanë luajtur rolin e farkëtarisë, ku është kalitur karakteri i pamposhtur shqiptarë. Burgjet e të gjithë okupatorëve e kanë luajtur rolin e Universitetit të Dytë, pas Odës së Miqve, ku është dëshmuar qëndrueshmëria, guximi dhe pamposhtmëria shqiptare duke u dalluar kështë nga kombet e tjera, me virtyte burrërore e fisnike nga veset dhe qyqaria e të tjerëve Që të gjithë okupatorët i lenin burgjet në trashëgimi okupatorëve aktual për ta vazhduar mënyrën dhe metodën e thyerjes së moralit të lartë shqiptarë dhe dinjitetin e paepur. Mu këto veti e çmendnin dhe e tërbonin armikun – armiqtë.

Kosova dhe Jugosllavia u shndërruan në burgje kolektive për shqiptarët nën Jugosllavi. Se Jugosllavia, ka qenë me të vërtetë burgu kolektiv i shqiptarëve nën Jugosllavi, më së miri  shihet në raportet zyrtare. Në Kosovë dhe në Jugosllavi, në mënyra të ndryshme, janë trajtuar dhe keqtrajtuar 600 mijë shqiptarë nëpërmjet institucioneve ndëshkimore jugosllave, të gjyqeve, të ushtrisë, të milicisë dhe të burgjeve. Duhet shtuar, jo mbi 600 mijë, por 99.99% të shqiptarëve në Jugosllavi janë keqtrajtuar nga të gjitha institucionet ndëshkimore jugosllave.

Krimin gjakpirës dhe plojën masive që e kanë kryer serbët homicidë omanë, thanat omanë dhe amokë në burgun e Dubravës mbi të burgosurit shqiptarë të pambrojtur, nëpër qelitë dhe në oborr të burgut, nuk mund të krahasohen me asnjë krim e plojë të asnjë kombi, të asnjë epoke dhe të asnjë fisi egërsinorë, përveç me krimin serb SUI GENERIS (te llojit të vet serb).

Çka ka ndikuar te shqiptarët nëpër burgje të gjithë okupatorëve, që ta kenë moralin aq të lartë e të paepur; karakterin aq të fortë dhe qëndrimin e pathyeshëm, duke i përballur të gjitha ato tortura e krisma çnjerëzore fizike e shpirtërore dhe vuajtjet e ferrit, e të mos dorëzohen, të kapitullojnë kurrizthyer? Solidariteti i pakursyer i prindërve, bashkëshortëve besnikë, të familjes dhe të kombit me ndihma morale dhe materiale për të dashurit e tyre nëpër burgje.

Edhe një faktor tjetër ka ndikuar në qëndrimin e pathyeshëm të të burgosurve shqiptarë; Turpi.

Mos ta turpërojë familjen, fisin e kombin me qëndrimin e tij qyqar që t`i mvishet atributi tradhtar. Më mirë i vdekur në varr se sa i turpëruar e gjallë!

 

Faktorët e diktatit dhe të vendimmarrjes; KS i OKB-së, SHBA-ve dhe UE-së me këmbëngulje kërkojnë nga shqiptarët që t`i harrojnë dhe tua falin krimet e serbëve, malazezëve, grekëve  mbi shqiptarët, këto krime të kontinuitetit mbi 100 vjeçarë; krime të tmerrshme, egërsinore dhe gjakpirëse me terror dhe vandalizëm të paparë e të padëgjuar në analet e hershme dhe të tanishme.

Gjaku i dëshmorëve nuk falet e as nuk harrohet, asnjëherë. Drejtësia kombëtare shqiptare dhe ajo ndërkombëtare një ditë do të trokasin në portat e gjakpirësve serbosllavë. Dhe vetëm atëherë do të mund të themi se dëshmorët pushojnë të qetë duke hapur kështu rrugën tonë për të marshuar më tej në bërjen realitet të synimeve dhe idealeve tona nacionale.

 

 

Lavdi dëshmorëve: Danush Kurtaj, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma, Mejdi Dalloshi dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Altarin e Lirisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Kombit shqiptarë!

Nderim dhe respekt për luftëtarët e lirisë dhe gjithë veprimtarëve që i shërbyen kombit dhe atdheut.

 

 

Kumtesë e prezentuar në akademinë përkujtimore, me 22 maj 2015 nga Hasan Dalloshi (ish i burgosur politik dhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës)

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Kush fitoj dhe kush humbi me rastin e zgjedhjeve në Shqipëri?

Si gjithmonë PD e Shqipërisë, në mënyre të ripërsëritur, në stilin e gagaçëve, për aq …