Qytetarët kërkojnë reagim institucional urgjent ndaj kaosit urban në Çair: Shteti nuk mund të heshtë përballë këtij krimi ndërtimor

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për situatën alarmante që po ndodh në Komunën e Çairit, ku sipas Qytetit ë Shkupit, vetëm në dy vitet e fundit janë ngritur mbi 150 ndërtesa pa leje, duke e shndërruar një nga zonat më të dendura urbane në Evropë në një hapësirë të pabanueshme dhe të rrezikshme për jetën e mbi 62 mijë qytetarëve.

Pamjet e publikuara së fundmi nga vetë kryetarja e Shkupit, që tregojnë ndërtime pranë shkollave, shtëpive private dhe rrugëve të ngushta të lagjeve të vjetra, janë dëshmi tronditëse e një kaosi të toleruar, që nuk do të ishte i mundur pa mbështetje ose mospërgjegjësi institucionale.

Çairi sot duket si një mozaik ndërtimesh të rastësishme, pa plan, pa logjikë dhe mbi të gjitha pa kujdes për sigurinë publike.
Hapje themelesh pa mbrojtje, ndërtesa shumëkatëshe që errësojnë dritaret e shtëpive njëkatëshe, struktura pranë oborreve të shkollave që rrezikojnë fëmijët, janë tabloja e një realiteti që kërkon përgjigje urgjente.

Institucionet shtetërore nuk kanë reaguar. Asnjë sinjal nga inspektoratet, asnjë ndërhyrje nga strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e ligjshmërisë.

Ky mosreagim është i papranueshëm dhe përbën një dështim të drejtpërdrejtë të sistemit për të mbrojtur interesin publik dhe rendin urban. Mosndërhyrja është tashmë pjesë e problemit.

BDI kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të hetuar dhe ndaluar këtë dukuri të rrezikshme. Heshtja shtetërore nuk mund të jetë mburojë për ata që po shkatërrojnë sistematikisht të vetmen hapësirë jetese të banorëve të kësaj komune.

Ky nuk është më vetëm problem i urbanizmit, është një krizë e sigurisë publike dhe dinjitetit qytetar.

BDI qëndron fuqishëm në krah të banorëve të Çairit dhe kërkon rikthimin e ligjshmërisë, përgjegjësisë institucionale dhe respektit për jetën e përditshme të njerëzve që meritojnë të jetojnë në një ambient të sigurt dhe dinjitoz.

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ne nuk jemi fajtorë!

Ne nuk jemi fajtor që jam çlirimtarë, dhe i përkasim pjesës dërmuese të popullit tonë, …