Fitorja në mandatin e kaluar ka krijuar një qasje të dëmshme të veprimit jashtë kornizës institucionale dhe ligjore, duke prodhuar vendime të përsëritura në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore të pandëshkuara!
Arsyetimet e ofruara për veprimet e tyre janë tashmë të konsumuara dhe janë dëshmuar si të paqëndrueshme, ndërkohë që paaftësia qeverisëse është bërë qartë e dukshme, shpesh e shoqëruar me veprime të dokumentuara si korruptive.
Aktualisht, përballë pamundësisë për të ruajtur pushtetin përmes mjeteve demokratike, është intensifikuar një veprimtari agresive, e cila nuk ka as mbështetje ligjore, as arsye institucionale.
Kushtetuta dhe ligji i japin subjektit të parë politik të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, në funksion të garantimit të procedurave për formimin e institucioneve dhe vazhdimësinë e qeverisjes.
Kjo është një përparësi që buron nga rezultati elektoral, por në asnjë mënyrë nuk nënkupton që kandidati i propozuar duhet domosdoshmërisht të votohet.
Pretendimi se zgjedhja e kandidatit të propozuar duhet të ndodhë me çdo kusht do të kishte kuptim vetëm në rastin kur do të ekzistonte një procedurë e qartë delegimi dhe emërimi, e cila përjashton procesin e votimit në Kuvend, duke paraparë vetëm verifikimin formal të rregullsisë së propozimit.
Në mungesë të një procedure të tillë, dhe meqë propozimi ligjërisht i nënshtrohet votimit, përdorimi i votës – pro, kundër apo abstenim – është një instrument demokratik legjitim dhe i pashmangshëm.
Si rrjedhojë, ekziston gjithmonë mundësia që kandidati të mos marrë votën e besimit.
Thirrjet për zhvillimin e këtij procesi duhet t’i adresohen përgjegjësit real – Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqësit të saj.
Roli i Presidentes bëhet vendimtar dhe i domosdoshëm për ndërprerjen e një procesi irracional që po dëmton rëndë interesin publik dhe funksionimin e shtetit.
Kjo për arsyet:
1. Qëndrimi joligjor dhe i dhunshëm në institucionet e legjislativit dhe ekzekutivit njëkohësisht,
2. Shtyrja pa afat e seancave për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit si pasojë e mungesës së kufizimeve procedurale dhe pengesave të qëllimshme politike, si dhe
3. Dëmi substancial, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë që po i shkaktohet vendit në aspektin politik dhe ekonomik.
Të gjitha këto përbëjnë një situatë urgjente që duhet të marrë fund sa më parë që të jetë e mundur.