Rrahim Bektashi: 26 vjetori i Operacionit ” Shigjeta”

Të nderuara dhe shumë të respektuara familje të dëshmorëve-heronjve të kombit nga Kosova, Shqipëria, Ilirida dhe Kosova lindore, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, të nderuara shoqata të tri luftërave çlirimtare, i nderuar ministër i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, I nderuar delegacion i veteranëve i shoqatës “Tigrat” nga shteti mik i Republikës së Kroacisë, i nderuar kryetar i komunës z.Shaqir Totaj,të nderuar zyrtarë të institucioneve të shtetit të Kosovës, të nderuar të pranishëm,
Vet pjesëmarrja juaj, nderimi i heronjve të kombit tregon qartë se lufta jonë ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe një vazhdimësi dhe përpjekje e të parëve tanë për çlirim nga pushtuesi serbosllav. Rëndësia historike e betejave të operacionit “Shigjeta” janë jetike për historinë tone kombëtare sepse është e vulosur me gjakun e luftëtarëve që morën pjesë në këtë betejë. Ky operacion, përveç rëndësisë kombëtare ka edhe atë ndërkombëtare në planin ushtarak dhe atë të bisedimeve. Në planin ushtarak, ky operacion e zhveshi kamuflimin e ushtrisë dhe policisë serbe kështu që iu bë e mundshme avionëve të NATO-së identifikimi i caqeve për t’i goditur më lehtë objektivat e tyre. Në këtë operacion morën pjesë me mijëra vullnetarë të ardhur nga të gjitha shtetet e botës të cilët fillimisht u vendosën në qendrat stërvitore dhe falë Qeverisë Shqiptare dhe eprorëve nga Republika e Shqipërisë u bë e mundshme përgatitja e tyre ushtarake dhe furnizimi me armatim për të kryer me sukses luftën tonë çlirimtare. Prandaj, një falënderim i veçantë shkon për shtetin Amë-Republikën e Shqipërisë! Të gjithë këta luftëtarë i bashkonte ideali për çlirimin e Kosovës.
Të kthehemi në janarin e vitit 1999: Populli ynë sapo kishte përjetuar një prej masakrave më çnjerëzore në Reçak, por për të mos lejuar që të përsëriteshin situata të këtilla, në atë kohë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte ngarkuar Drejtorinë Operative për ta përgatitur operacionin ushtarak ‘Shigjeta’, i cili rezultoi të jetë operacioni më i madh, më masiv dhe më frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, të gjithë ju bashkëluftëtarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë të luftës, të gjithë ju pjesëmarrës të këtij fronti të gjerë luftarak, çdoherë duhet të ndjeheni krenarë për lavdinë e betejës që e keni zhvilluar dhe që e keni fituar së bashku me aleatët. Jehonë në rrafshin e brendshëm të këtij fronti të gjerë ushtarak, por edhe jehonë ndërkombëtare gjithëbotërore kishte patur fillimi i operacionit “Shigjeta”, i cili përveç depërtimit në atë kohë në tri drejtime operative, përkatësisht në drejtim të Koshares, të Pashtrikut dhe Koretnikut, kishte për qëllim edhe koordinimin me forcat ajrore të NATO-s, të cilat pandërprerë godisnin vendqëndrimet e kamufluara të policisë dhe ushtrisë serbe.
“Operacioni ‘Shigjeta’ apo Fronti i Pashtrikut ishte një operacion që mobilizoi tërë arsenalin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fitoi një mbështetje të fuqishme, të jashtëzakonshme nga shteti shqiptar, mbështetje logjistike, profesionale, ushtarake, gjithë popullore, por në të njëjtën kohë e fitoi edhe një mbështetje të botës demokratike, një mbështetje të aleancës së NATO-s. Pra, kishte ardhur momenti për këtë ofensivë të hapur, për një front të gjerë sulmues dhe kjo ishte e vetmja mundësi që të ndodhte së mobilizuari edhe diaspora gjithëshqiptare që kishin ardhur pas ftesës për mobilizim për luftë”.
Në javën e tretë dhe të katërt të muajit maj 1999, tash e 26 vjet më parë, kur ky front u hap dhe ndodhi sulmi më masiv dhe më i suksesshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku nga taktika guerile, mashtrimet manovruese tani po zhvilloheshin në një nivel më të lartë taktik-ai i luftës frontale. Në atë kohë, në pamundësi që ushtria serbe të përballej me sulmin masiv dhe të fuqishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tërë makineria e tyre ushtarake u vunë në mbrojtje dhe në përpjekje për t’i kundërsulmuar njësitet tona në frontin e Pashtrikut dhe në këtë mënyrë ju lehtësua gjendja e njësiteve të UÇK-së brenda territorit të Kosovës por luftëtarët tanë trima qëndronin stoikisht dhe heroikisht në istikamet e luftës, ushtria serbe zbuloi edhe artilerinë e rëndë ushtarake që e mbanin të maskuar mes malesh, e cila më pas u godit nga avionët e NATO-s Betejat e operacionit “Shigjeta” mblodhën luftëtarët e qendrave stërvitore të Fekenit, Burrelit, Kolshit, Kalimashit dhe Helshanit. Urdhëri për sulm është dhënë me datë 25.05.1999 dhe të nesërmen me datë 26 maj 1999 u bë pozicionimi i trupave dhe sulmi mbi pozicionet serbe. I gjithë operacioni Shigjeta që shtrihej nga Mali i Zi e deri në Maqedoni komandohej nga komandanti i operacioneve luftarake, gjeneral Bislim Zyrapi. Operacioni Shigjeta kishte planifikuar tre drejtime ku dy prej tyre u zhvilluan me sukses.
Drejtimi Operativ 1 Kosharja komandohej nga komandanti Rrustem Berisha, Drejtimi Operativ 2 Pashtriku komandohej nga komandanti Nexhmedin Kastrati,
Drejtimi Operativ 3 Koritniku  nuk u realizua sepse u nënshkrua kapitullimi i Serbisë.
Vlen të përmendet se në qendrat tona stërvitore vazhdonin mbërritjet dhe përgatitjet me vullnetarë të rinj të UÇK-së edhe gjatë luftimeve që po zhvilloheshin.
Drejtimet taktike ishin këto :
Drejtimi taktik nr 1.Krahun i majtë i Majës së Pashtrikut në vijën Qafa e Mullarëve, Kurora dhe Shpella e Pëllumbave.
Drejtimi taktik nr.2- Maja e Pashtrikut.
Drejtimi taktik nr 3 Krahu i djathtë i Majës së Pashtrikut, Gorozhupi deri tek lumi Drini Bardhë
Beteja e Pashtrikut ishte projektuar si mundësi e vetme për të hapur një korridor lidhës të lirë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Fronti i Pashtrikut ishte front i shpresës, i besimit, i optimizmit, ishte fronti i fitores përfundimtare historike të shqiptarëve kundër Serbisë. Humbjen më të madhe në historinë e luftës së Kosovës së viteve 1998-1999, Serbia e pësoi pikërisht në Frontin e Pashtrikut dhe kjo ishte kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës sonë. Kjo majë këtu është maja apo beteja kulmore që e ka zhvilluar UÇK-ja. Lufta jonë filloi në Prekaz, filloi aty ku edhe pritej të fillonte lufta e armatosur kundër ushtrisë dhe policisë serbe nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, për të vazhduar e zgjeruar në tërë Kosovën.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri përjashtim duke mësuar nga e kaluara, duke marrë shpirtin luftarak dhe duke qartësuar qartë vizionin politik, se një luftë fitohet vetëm me një mobilizim të përgjithshëm, me një qartësi politike dhe me mbështetje të partnerëve. Kështu që UÇK-ja mobilizoi popullin e Kosovës, mobilizoi gjithë kombin dhe kur shqiptarët u bashkuan, atëherë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja u vunë në mbështetje të luftës sonë për liri, për pavarësi dhe shtetin tonë. Se sa i rëndësishëm ishte operacioni “Shigjeta” ajo pershkruhet në librin “Të bësh luftë moderne” të ish-komandantit suprem të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark në faqet 380 – 381 të librit ku ai do të shkruajë: Isha i preokupuar me atë se forcave serbe nuk duhej t’u lejohej ta shtynin UҪK-në prapa, përtej Pashtrikut. Nuk dëshiroja, që ata, nga lart ta shikojnë kampin e refugjatëve në Kukës, të japin urdhër që nga artileria të sulmohet rezervuari, apo ta vëzhgojnë aeroportin. Ruajtja e pozicioneve në majë të malit ishte tejet e rëndësishme. Kërkova nga Ellsi që prioritet i tij të jetë ndalja e kundërofensivës serbe në këtë rajon, duke i thënë “Nëse e humbim këtë pikë të lartë, atëherë tërë këtë terren do të jemi të detyruar ta ripushtojmë sërish. Mali nuk do të humbet. Ne nuk do t’i lejojmë serbët të ngjiten në majë të malit. Do të paguajmë për atë majë të malit me gjakun e amerikanëve, nëse nuk i ndihmojmë UÇK-së të mbajë pozicionet. Ky është prioriteti im numër një”.
Padrejtësisht, këtij operacioni nuk iu dha vendi meritor ashtu si duhet por u kalua në heshtje deri në vitin 2019 kur nën patronatin e zyrës së presidentit Thaçi u organizua 20-vjetori i këtij operacioni. Në betejat e operacionit “Shigjeta” ranë për të mos vdekur kurrë në Altarin e Lirisë këta heronj të kombit:
1.Florim Rushiti
2. Bafti Haxhiu
3.Sali Zenuni
4. Astrit Suli
5.Aliriza Selmani
6. Safet Peci
7.Ejup Kasumi
8.Gani Saramati
9.Selver Maçkaj
10.Shpend Berisha
11.Sali Saramati
12.Avdi Xhaqku
13.Xhelal Sopi
14.Abdurrahman Gërdellaj
15.Zejnullah Zena
16.Bedri Gashi
17.Lulzim Llugiqi
18.Beran Gashi
19.Halil Gashi
Gjaku i këtyre trimave u shndërrua në lum lavdie i cili i ujiti rrënjët e lirisë së shtrenjtë: theu përjetësisht prangat e robërisë armike dhe plotësoi profecinë e bijëve të Dardanisë të cilët s’i rrëzon as moti. Ata lindën nga heroina të cilat me lot ua thurën krahët e shqiponjës që të fluturojnë mbi zenitin e lirisë, u ringjallën porsi bijë shqiponjash, dhe ashtu u përjetësuan në faqet e historisë.
Lavdi dhe përulje për të gjithë heronjtë e kombit, jehoftë përjetë emri i tyre i shkruar në të kuqen e gjakut që nga Konispoli e Molla e Kuqe deri në kupën qiellore!
Lavdi e përjetshme për dëshmorët ekombit 🇦🇱🇦🇱!

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ne nuk jemi fajtorë!

Ne nuk jemi fajtor që jam çlirimtarë, dhe i përkasim pjesës dërmuese të popullit tonë, …