Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpuntorë, familjarë të dëshmorëve dhe me qytetarë, në 26-vjetorin e rënies kanë bërë homazhe për të nderuar dëshmorët e atdheut, ndër ta edhe bijtë më të mirë të këtij populli: Sadedin Hajda, Mexhit Mustafa e që për të njëjtin ideal ranë edhe Jeton Kabashi dhe Bujar Thaçi.
“Në Hamoc, në vendin ku toka mban kujtimin e betejave të përgjakshme për liri, në 26-vjetorin e rënies së tyre, bëmë homazhe për të nderuar dëshmorët e atdheut, ndër ta edhe bijtë më të mirë të këtij populli: Sadedin Hajda, Mexhit Mustafa e që për të njëjtin ideal ranë edhe Jeton Kabashi dhe Bujar Thaçi.
Beteja e Hamocit ishte e ashpër, por heroike. Forcat pushtuese serbe u përballën me rezistencën e pathyeshme të luftëtarëve tanë. Në këtë përplasje të së mirës dhe së drejtës me të keqen që na kishte zënë frymën, më 26 maj 1999, bie hero Bekim Sylka nga Rahoveci, ndërsa më 27 maj ranë me nder edhe Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa, duke lënë pas një trashëgimi të përjetshme guximi dhe sakrifice, që frymëzon brezat.
Lavdi përjetë dëshmorëve të Hamocit! Emrat e tyre janë dritë në historinë tonë”, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi!