Sot, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Ibrahim Mazreku” në Malishevë ka shënuar Ditën e Shkollës, datë që lidhet me 26 vjetorin e rënies së dëshmorit dhe heroit të kombit, Ibrahim Mazreku, emrin e të cilit kjo shkollë e mban me krenari.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, përgjegjësi i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Sabit Berisha, si dhe zyrtarë të tjerë.
Paraprakisht, kryetari Kastrati, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta dhe familjarët, bënë homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve, në shenjë respekti dhe përkujtimi për veprat e Ibrahim Mazrekut, Ejup Kryeziut, Kujtim Krasniqit dhe Milaim Behës.
Në fjalën e rastit, kryetari Kastrati e uroi këtë institucion arsimor për ditën e shkollës, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme. Ai gjithashtu foli për veprën e dëshmorit dhe heroit të kombit, Ibrahim Mazreku, me të cilin kishte qenë bashkëpunëtor, si dhe për rëndësinë e luftës së lavdishme dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit.
Ndërsa drejtoresha e SHFMU “Ibrahim Mazreku”, Rrezarta Mazreku-Kastrati, foli për të arriturat e shkollës gjatë këtij viti shkollor, për pjesëmarrjen në gara të ndryshme, aktivitetet brenda dhe jashtë shkollore.
Gjithashtu, nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik dhe u promovuan katër vepra me autorë nxënës të kësaj shkolle.
Të pranishmit në këtë aktivitet i përshëndeti edhe djali i dëshmorit, Ibrahim Mazreku, Adhurimi, i cili i falënderoi për kujdesin dhe respektin që institucionet tona tregojnë ndaj dëshmorëve, si dhe uroi të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.