Studiuesi dhe eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir, ka bërë thirrje publike që Kosova të veprojë menjëherë për të kapur momentin diplomatik aktual dhe të mos presë ndryshime politike nga instancat më të larta ndërkombëtare. Ben-Meir theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm dhe proaktiv të Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se ky është çelësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Kosova duhet ta shndërrojë strukturën në strategji. Shtetet e Bashkuara mund ta ristrukturojnë zyrën e çështjeve të jashtme për Ballkanin, por angazhimi i saj me Kosovën nuk ka ndryshuar. Tani është momenti për të thelluar lidhjet, jo të presim që ndryshimi të vijë nga lart”, shkroi Ben-Meir. Qëndrimi i tij vjen në një kohë kur në Uashington janë raportuar diskutime për ndryshime në strukturën e menaxhimit të politikave për Ballkanin, por pa ndikuar në qëndrimin strategjik ndaj Kosovës. Thirrja e Ben-Meir shihet si një sinjal i qartë për institucionet e Kosovës që të rrisin dinamikën diplomatike dhe të mos mbeten pas në krijimin e aleancave të qëndrueshme dhe influente në skenën ndërkombëtare, veçanërisht me aleatin kyç – SHBA-në.
