Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë–Serbi. Behrami tha se Kurti po sillet si “pronar i shtetit” dhe po dëmton raportet me aleatin më të madh të Kosovës. Ai theksoi se dikur çdo hap i rëndësishëm politik e ushtarak është ndërmarrë në koordinim me Uashingtonin, ndërsa sot Kurti, sipas tij, po i vendos kushte SHBA-së. Behrami përmendi tri kërkesa të Kurtit ndaj SHBA-së: dorëzimin e Radoiçiqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe tërheqjen e letrës së Brnabiçit – duke i quajtur këto veprime të pasinqerta dhe vetë shkatërruese. Ai e akuzoi Kurtin se me këtë sjellje po e largon SHBA-në nga Kosova dhe po e shndërron kushtëzimin në mbulesë për frikën personale.
