Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se partia e tij nuk e ka bojkotuar procesin e votimit për kryetarin e Kuvendit kur ai është zhvilluar në mënyrë të hapur, por është kategorikisht kundër formës së votimit të fshehtë që, sipas tij, përbën shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Brahimaj theksoi se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procesit është i papranueshëm dhe i jashtëligjshëm. Ai tha se Aleanca dhe partitë e tjera opozitare janë të gatshme të marrin pjesë në votim, por vetëm nëse ky zhvillohet në mënyrë transparente. Brahimaj tha se AAK është e përgatitur për të hyrë në zgjedhje në çdo moment, edhe pse e pranon se mbajtja e dy palë zgjedhjesh nuk është në interes të qytetarëve. Sa i përket zgjedhjeve lokale, Brahimaj parashikoi rezultate të fuqishme për AAK-në, duke bërë të ditur se tashmë janë nominuar disa kandidatë për kryetar komune nga vetë lideri i partisë, Ramush Haradinaj, dhe se po punohet në përgatitjen e listave për asambletë komunale. “Do të jetë një rezultat befasues për Aleancën në zgjedhjet lokale,” u shpreh Brahimaj.
