Adrian Shtuni: Kosova duhet të ndryshojë qasje ndaj SHBA-së dhe të dalë nga vetë-hipnoza politike

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, Adrian Shtuni, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një analize, ai u shpreh se Kosova duhet të reflektojë seriozisht mbi sjelljen e deritanishme politike dhe të ndryshojë qasjen ndaj partnerit kryesor strategjik, SHBA-së. Sipas Shtunit, pavarësisht se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se mund të angazhohet sërish në çështjen e Kosovës, vendi nuk duhet të qëndrojë në “vetë-hipnozë” duke pritur zgjidhje nga jashtë. Ai theksoi se është urgjente që të krijohet një qeveri funksionale, duke nxjerrë mësime nga sjellja problematike dhe mungesa e bashkëpunimit e qeverisë së kaluar. “Nëse nuk ka një vetëdijësim dhe një ndryshim të qasjes ndaj SHBA-së, atëherë është e kotë që i njëjti kryeministër të pretendojë të vijë në pushtet. Ai do të jetë i pafuqishëm dhe do ta mbajë Kosovën peng. Duhet të vendoset Kosova në radhë të parë, jo doktrina personale politike,” u shpreh Shtuni. Ai shtoi se nuk ka rëndësi se çfarë mendon një lider politik nëse ai nuk arrin të krijojë një konsensus minimal për të formuar qeverinë. “Nëse nuk është i gatshëm të bëjë kompromis, duhet të hapë rrugën. Kosova nuk guxon të rrijë në vendnumëro,” përfundoi Shtuni.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …