leoni

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja kërkon zgjatje të afateve dhe parashikon thirrjen e deri në 25 dëshmitarëve

Në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja ka parashtruar se mund të thërrasë deri në 25 dëshmitarë nëse vendos të paraqesë çështjen e saj, duke u varur kjo nga vendimi i trupit gjykues lidhur me mocionin për rrëzimin e akuzave. Sipas një parashtrese të përbashkët, 15 prej dëshmitarëve pritet të dëshmojnë fizikisht në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitë e tjerëve synohet të paraqiten me shkrim sipas Rregullës 153 dhe 155 të Gjykatës. Mbrojtja e Hashim Thaçit ka njoftuar se mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë, ndërsa ajo e Jakup Krasniqit deri në 10, prej të cilëve pesë do të dëshmojnë drejtpërdrejt. Ndërkohë, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit aktualisht nuk parashikon të thërrasë dëshmitarë, por ruan të drejtën për të paraqitur prova. Sipas afateve ekzistuese, mbrojtja duhet të njoftojë nëse do të paraqesë rastin e saj deri më 16 korrik 2025 dhe të dorëzojë listën e dëshmitarëve deri më 21 korrik.  Mbrojtja argumenton se vonesat në marrëveshjet me ofruesit e Rregullës 107 – të nevojshme për zbulimin e dokumenteve, identitetit të dëshmitarëve dhe përgatitjen e deklaratave – kanë ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen e tyre.  Që nga përfundimi i paraqitjes së provave nga Prokuroria më 15 prill 2025, mbrojtja ka bërë 44 paraqitje të ndryshme deri më 13 qershor. Sipas afateve aktuale të përcaktuara nga Rregulla 119(4), çështja e mbrojtjes duhet të fillojë brenda 30 ditësh nga konferenca përgatitore e 21 korrikut. Mbrojtja ka paralajmëruar se synon ta thërrasë dëshmitarin e parë më 15 shtator 2025, nëse kërkesa për shtyrje pranohet.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kritikon VV-në për operacionin  e djeshëm të FSK-së në veri: Hisedarët e shtetësisë së Kosovës s`mund të anashkalohen

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka komentuar operacionin e djeshëm humanitar të FSK-së në …