Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se është i gatshëm të mbështesë një koalicion mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje vetëm nëse kjo e fundit merr hapa të qartë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale. Hasani theksoi se kushti i vetëm për një marrëveshje të tillë është angazhimi konkret i qeverisë për të mbështetur betejën ligjore të ish-luftëtarëve të UÇK-së, përmes formave institucionale dhe lobimit ndërkombëtar. “Ndryshimi mund të ndodhë vetëm me një kusht – Gjykata Speciale. Nëse qeveria ofron ministrinë, buxhetin, rezolutën dhe mekanizmat për hetim e mbrojtje, unë jam i gatshëm. Përndryshe, me asnjë çmim”, tha Hasani. Ai ka përkujtuar se qytetarët që e votuan më 9 shkurt ia dhanë mandatin me qëndrimin e qartë kundër një koalicioni me VV-në dhe se nuk mund ta ndryshojë këtë pozicion pa një arsye madhore. “Qëndrimin tim e kam bërë të qartë para 30 mijë qytetarëve që më kanë votuar. Ata presin që unë të jem i palëkundur në ato parime”, përfundoi Hasani.
