Në sallën e konferencës të Kompleksit Muzeor “Ukshin Hoti”- në Krushë të Madhe u mbajt mbledhja e tretë e rregullt, e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSK).
Kryetari i komunës së Rahovecit, njëherit edhe kryesuesi i mbledhjes, z. Smajl Latifi, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit, theksoi se situata e përgjithshme në territorin e komunës së Rahovecit në bazë të argumenteve dhe burimeve që i posedojmë është stabile, e qetë dhe pa ndonjë ndryshim të theksuar prej takimit të fundit të mbledhjes së KKSB-së.
Në përgjithësi në këtë mbledhje u shtjelluan këto çështje:
Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë në Komunën e Rahovecit
Mbrojtja e ambientit në komunën e Rahovecit
Parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtje nga zjarri gjatë sezonit veror
Diskutim për aktivitetet e organizuara nga Drejtoria për Arsim për maturantët
Trajtimi i objekteve të braktisura dhe objekteve të vjetra – jo të sigurta
Siguria dhe kontrolli i shpeshtë në trafik
Niveli i sigurisë në shkolla
Parandalimi i dhunës në familje
Përpjekja intenzive për ushqim më cilësor me siguri me të lartë – siguria dhe kontrolli i produkteve ushqimore.
Komandanti i Stacionit Policor – Rahovec, z. Fazli Morina, si zakonisht raportoi rreth situatës së sigurisë në territorin e komunës së Rahovecit, me statistika si në vijim:
110 vepra penale, prej tyre 7 incidente jopenale, 12 raste vjedhje, 4 raste me para falco, 2 raste të asgjësimit të pasurisë, 5 raste armëmbajtje pa leje dhe 7 raste të dhunës në familje.
Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 46 persona – prej tyre 27 persona në mbajtje 48 orë.
Sa i përket sigurisë në komunikacion: Janë dhënë 1901 gjoba në komunikacion rrugor.
Prej tyre, 70 gjoba janë shqiptuar për drejtimin e automjetit pa patent shofer, 29 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 180 gjoba për parkingje joadekuate dhe 16 gjoba janë shqiptuar me masë ndalim i vozitjes. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 18 aksidente me dëme materiale.
Në shkollat e komunës së Rahovecit janë realizuar 58 vizita dhe 45 pika kontrolli afër shkollave.
Në fund të mbledhjes, kryetari Latifi falënderoi të gjithë anëtarët e KKBS-së, për kontributin dhe angazhimin e tyre.