Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka paralajmëruar se ngërçi institucional në Kosovë mund të vazhdojë edhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nëse mungon vullneti politik mes partive parlamentare për formimin e institucioneve. Qelaj theksoi se zgjidhja nuk qëndron në gjykatë, por në përgjegjësinë politike të subjekteve që përfaqësojnë qytetarët në Kuvend. Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale po dëmton rëndë interesin publik, ndërsa kriza aktuale përbën edhe cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. “Mosfunksionimi i institucioneve ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve, përfshirë mungesën e legjislacionit të ri, të masave sociale dhe përkrahjes për ata në nevojë”, tha Qelaj. Ai shtoi se bllokada cenon edhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për përfaqësim politik dhe rrezikon të ulë besimin në institucionet demokratike. Qelaj u bëri thirrje partive të gjejnë konsensus për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e funksionimit normal institucional.
