leoni

Kryetari Haliti zhvillon takimin e parë publik me qytetarët e Vitisë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zhvilluar sot takimin e parë publik me qytetarët, ku i ka informuar ata rreth punës së qeverisë komunale gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, si dhe për projektet dhe planet që parashihen të realizohen deri në fund të këtij viti.

Takimi nisi me një video-prezantim të përgatitur nga Plus Televizioni, ku u pasqyruan disa nga projektet e përfunduara në lokalitete të ndryshme të komunës, si dhe aktivitetet e zhvilluara nga institucionet komunale gjatë kësaj periudhe.

Në vijim, një raport të detajuar mbi të arriturat dhe sfidat e gjashtëmujorit të parë e prezantoi zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu. Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë projektesh në fusha të ndryshme, përfshirë ato të infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe mbështetjes për bujqësi. Aliu vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me donatorët dhe organizatat vendore e ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në realizimin e projekteve në komunën e Vitisë.

Kryetari Haliti, në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm të qytetarëve dhe partnerëve të tjerë institucionalë. Ai prezantoi projektet kryesore që janë realizuar në qytet dhe në të gjitha vendbanimet rurale të komunës, duke përfshirë asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e infrastrukturës shkollore dhe shëndetësore, investimet në furnizim me ujë të pijshëm dhe projekte të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Ne do të vazhdojmë me përkushtim të plotë për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Investimet që po bëjmë nuk do të ndalen, qoftë ato nga buxheti komunal, qoftë nga Bashkimi Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare, të cilave u jemi falënderues për kontributin e tyre të çmuar,” theksoi kryetari Haliti.

Në pjesën e dytë të takimit, qytetarët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të shprehin shqetësimet e tyre dhe të japin sugjerime konkrete.

Ky takim publik vjen si pjesë e angazhimit të institucioneve komunale për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Kontrolloni gjithashtu

Asfaltohet rruga alternative në Stubëll të Epërme

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar punimet që janë duke u kryer …