Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit po tenton të krijojë një realitet alternativ edhe pas aktgjykimit të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Në një konferencë për media, Krasniqi u shpreh se takimi i thirrur nga Kurti kishte më shumë karakter simbolik dhe shërbeu për të “aktruar” përmbushjen e një detyrimi formal për konsultime, por nuk pati asnjë përpjekje reale për konsensus apo kompromis. “Përkundër situatës së re pas aktgjykimit, Kurti vazhdon me të njëjtat qëndrime dhe me një qasje imponuese që ka mbajtur vendin të bllokuar për muaj me radhë,” deklaroi Krasniqi. Ai shtoi se është shqetësues fakti që Kurti kishte një interpretim “të çuditshëm” të aktgjykimit të Kushtetueses, duke mos parë asnjë problem në propozimin për votim të fshehtë apo në mënyrën si janë zhvilluar seancat. “Ky është një realitet i imagjinuar që LVV-ja përpiqet ta paraqesë si të vërtetë, ndërsa në të vërtetë Kosova është në një bllokadë të thellë institucionale që mban vulën e Albin Kurtit,” tha Krasniqi.
