Në Deçan u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të cilën e kryesoj Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.
Në fjalën e tij hyrëse, kryetari Ramosaj theksoi se siguria në komunën e Deçanit është e kënaqshme dhe në suaza normale, duke shprehur kënaqësinë për stabilitetin e përgjithshëm. Por, ngriti disa shqetësime që lidhen me sjelljen në komunikacion, veçanërisht ngasjen me shpejtësi të lartë nga ana e qytetarëve, si dhe problemin me qentë endacakë, që po vazhdon të jetë sfidë.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në këtë takim potencoi se situata e sigurisë është e mirë, megjithatë u veçuan disa raste të dhunës në familje, të cilat mbeten shqetësuese dhe kërkojnë vëmendje të shtuar nga institucionet dhe shoqëria.
Nga Drejtori për Shërbime Publike, z. Izet Zenuni u theksua se nuk mund të ketë polic të pranishëm në çdo rrugë të komunës, përveç në afërsi të shkollave dhe institucioneve shtetërore, ku prania është më e theksuar.
Komuna e Deçanit, përmes Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante dhe qytetarët.