Ahmet Daku: Nderim për bashkëluftëtarin Afrim Nuhiu

Nderim për bashkëluftëtarin Afrim Nuhiu – Uniteti.  Pensionimi i njërit prej luftëtarëve më të përkushtuar të UÇK-së shoqërohet me ceremoni dinjitoze dhe fjalë mirënjohjeje nga bashkëluftëtarët. Në një ceremoni ushtarake të mbajtur së fundmi, u nderua me respekt të veçantë dhe dinjitet ushtarak bashkëluftëtari dhe miku ynë, Afrim Nuhiu – Uniteti, me rastin e daljes së tij në pension nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Afrimi i përket brezit të luftëtarëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – njerëzve që nuk pyetën për rrezikun, për pagën apo për gradën, por që luftuan me zemër për lirinë e Kosovës. Ai iu bashkua UÇK-së që nga ditët e para dhe qëndroi në vijën e parë të frontit deri në ditën e fundit, pa u ndalur asnjëherë, pa kërkuar kurrë pushim apo privilegj. Pas luftës, Afrimi e vazhdoi rrugën e tij ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), dhe më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku për vite me radhë dha një kontribut të palodhur në ndërtimin e institucioneve tona të sigurisë. Ai përfaqëson brezën që e ndërtuan shtetin me gjak dhe me përvojë. Megjithatë, është fakt i dhimbshëm që Afrimi nuk u vlerësua kurrë me gradën që e meritonte me plot kuptimin e fjalës. Në vend të tij, shpeshherë gradat u shpërndanë përmes lidhjeve, përmes zyrave, e jo nëpër vijat e zjarrit ku qëndronin njerëz si ai – me pushkë në dorë e me ideale në zemër. Por Afrimi ka një gradë më të lartë se çdo emërtim formal: gradën e ndershmërisë, të besnikërisë ndaj atdheut dhe të respektit që gëzon mes bashkëluftëtarëve dhe popullit. Ceremonia që iu organizua ishte e bukur, e ndjerë dhe dinjitoze, dhe më bëri krenar që isha aty për ta nderuar një mik, një luftëtar dhe një njeri të madh. I dashur Unitet, në emër të respektit tim të sinqertë si bashkëluftëtar, të uroj shëndet, paqe dhe gjithë të mirat në jetën tënde civile. Historia nuk harrohet, as vepra e njerëzve si ti. Lavdi jetës dhe veprës tënde! Lavdi UÇK-së dhe të gjithë atyre që i qëndruan besnikë lirisë! Nga: Ahmet Daku – Lumi, bashkëluftëtar i Afrim Nuhiut .

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Si po përdoren partitë shqiptare për të çmontuar barazinë

BDI shpreh shqetësim të thellë për fushatën e re të realizuar nga mbetjet e VLEN, …