Mbrëmë në Beguncë u përmbyll Turniri tradicional “2 Korriku”, i cili tashmë është bërë pjesë e pandashme e aktiviteteve kulturore e sportive për nder të kësaj date historike për Kosovën.
Në kuadër të këtij organizimi, krahas ndeshjeve sportive, u mbajt edhe një manifestim kulturor e sportiv, ku morën pjesë qytetarë të shumtë nga Vitia dhe më gjerë, figura të njohura të sportit, kulturës, si dhe përfaqësues institucionalë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mbajti një fjalë rasti, duke e vënë theksin te rëndësia historike e 2 Korrikut të vitit 1990, ditë e cila shënoi fillimin e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. “Si çdo vit tjetër, edhe sonte Begunca dhe Vitia na kanë mbledhur sërish, në këtë ditë të shënuar kombëtare, për të kujtuar e nderuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit të Kosovës — 2 Korrikun e vitit 1990. Sot janë bërë 35 vite nga ajo ditë, por kujtimi dhe mesazhi i saj mbeten po aq të gjalla e aktuale sa në vitin 1990,” theksoi Haliti, duke shtuar se vendosmëria e popullit të Kosovës në atë periudhë mbetet shembull frymëzimi edhe për brezat e rinj.
Në finalen e turnirit, e cila u zhvillua mbrëmë, u përballën skuadra e Aris Pharm dhe ekipi i Kabashit. Pas një ndeshjeje dinamike dhe me rivalitet sportiv, triumfuan futbollistët e Kabashit, të cilët u shpallën fitues të Turnirit të 2 Korrikut për vitin 2025.
Pjesë e këtij manifestimi ishin edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, selektori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, si dhe figura të njohura të sportit e kulturës.