Kastrati: Viti 2026, vit i përkushtimit ndaj fshatrave

“Viti 2026 dhe vitet në vijim do të jenë vite të përkushtimit ndaj fshatrave, me synim urbanizimin dhe rregullimin e të gjitha vendbanimeve rurale,” deklaroi kryetari Ekrem Kastrati gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2026 në Këshillat Lokale të Dragobilit dhe Maxharrës.

“Hartimi i buxhetit, përkatësisht orientimi i investimeve kapitale, do të bëhet bashkë me qytetarët dhe në përputhje me kërkesat tuaja,” theksoi drejtori për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, gjatë takimit me banorët në Këshillin Lokal të Shkozës dhe Janqistit.

Edhe mbrëmjen e djeshme, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtori Blerim Thaçi dhe Zyrtarja Kryesore Financiare, Valentinë Krasniqi, kanë vazhduar takimet me qytetarë në terren, në Këshillin Lokal për Dragobil e Maxharrë dhe Këshillin Lokal për Shkozë e Janqist, me qëllim mbledhjen e kërkesave dhe nevojave të tyre. Këto kërkesa do të shërbejnë si bazë për hartimin e buxhetit për vitin 2026, i cili do të fokusohet në investime në zonat rurale edhe në vitet në vijim.

Gjatë takimeve në këto dy këshilla lokalë, kërkesat kryesore të banorëve ishin të fokusuara në përmirësimin e infrastrukturës: ndërtimi i rrjeteve të kanalizimit, rrugëve, trotuareve, si dhe sigurimi i ujit të pijshëm dhe përmirësimi i rrjeteve të ujësjellësit. Një kërkesë e përgjithshme në të gjitha fshatrat ishte që komuna të ushtrojë ndikim mbi kompaninë përgjegjëse “Hidroregjioni Jugor” për menaxhim më të mirë të sistemit të ujit, veçanërisht të kanalizimeve. Banorët theksuan se problemet e vazhdueshme me defektet dhe menaxhimin e dobët po ua vështirësojnë ndjeshëm jetën e përditshme.

Kontrolloni gjithashtu

Sot u certifikuan mësimdhënës dhe udhëheqës të shkollave të mesme të ulëta të komunës së Malishevës

Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë në sistemin arsimor, mësimdhënësit dhe udhëheqësit e …