Libri me vjersha “Abetaka” i poetit Demir Reshiti, botuar nga “Rilindja” në vitin 1995, është një vepër didaktike me vlerë edukative dhe gjuhësore për nxënësit e klasave të ulëta të shkollës fillore. Struktura e librit ndjek rendin alfabetik të abetarës shqipe, dhe çdo vjershë është strukturuar rreth një shkronje të alfabetit, duke u përfaqësuar me një emër kafshe, zogu, insekti, ose peshku. Çdo vjershë ka katër vargje, me rimë dhe ritëm të qartë, duke e bërë leximin të lehtë, tërheqës dhe argëtues për fëmijët. Përveç aspektit gjuhësor dhe letrar, poeti i kushton rëndësi edhe njohjes së natyrës dhe botës shtazore, duke ia prezantuar lexuesit të vogël veçoritë fizike dhe sjelljet e kafshëve, vendbanimet e tyre, mënyrën e të ushqyerit, dobitë dhe ndonjëherë edhe dëmet që sjellin për natyrën ose njeriun.
Në shumë vjersha vihet re përpjekja e autorit për të nxitur kureshtjen për t’i njohur shtazët dhe gjallesat tjera si dhe për të shtuar kujdesin për natyrën, si vlerë humane, sepse dashuria për kafshët dhe respekti për natyrën është obligim i shoqërisë njerëzore. Gjithashtu, autori tregon për emërtimet e ndryshme të disa shtazëve në dialekte apo krahina të ndryshme të vendit, duke pasqyruar kështu edhe pasurinë gjuhësore dhe kulturore të shqipes. Po ashtu libri është i pasuruar edhe me ilustrime, (ndonëse bardh e zi), ato vizatime i ndihmojnë fëmijët të shohin pamjen e tyre dhe të sforcojnë njohurit e shkronjave me të cilat emërtohen kafshët. Kështu, “Abetaka” shërben jo vetëm si një libër vjershash, por edhe si një mjet ndihmës për mësimin e gjuhës, alfabetit, dhe njohurive të para për botën që i rrethon fëmijët. Mesazhi i përgjithshëm i librit është: Mësimi i gjuhës dhe i natyrës, të jetë sa më i bukur dhe më i pranueshëm për botën përreth.
ARIU
Kafshë e egër gjitare,
mishngrënëse e trupmadhe.
Mjaltën ia ka ënda shumë,
dimrin e kalon në gjumë.
Ariu është njëra nga kafshët e egra më e njohura në alpet shqiptare. Poeti, këtë kafshë e paraqet përmes një përshkrimi të thjeshtë, por të saktë: Ariu është kafshë mishngrënëse dhe i njohur për dashurinë ndaj mjaltit. Përmes vjershës fëmijët mësojnë një fakt biologjik interesant: Aariut i pëlqen mjalti dhe dimrin e kalon në gjumë. Ritmi i vargjeve dhe rimat e brendshme e bëjnë vjershën të lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u mësuar përmendësh. Vjersha ua mëson fëmijëve jo vetëm shkronjën “A”, por edhe si të njohin një kafshë të pyllit, të mësojnë cilësitë e saj dhe të zhvillojnë ndjeshmëri ndaj jetës së egër. Shikuar nga ky këndvështrim, libri me vjersha “Abetaka” nga poeti Demir Reshiti, përfaqëson një përpjekje të veçantë për të ndërthurur artin poetik me funksionin edukativ të letërsisë për fëmijë. Kjo vepër është sdhs një udhëtim alfabetik, në botën e gjuhës e natyrës që na rrethon. E kësaj natyre është edhe vjersha “Bleta”.
BLETA
Mizë me krahë e trup të murrmë,
mbledh nektarin lule më lulë.
Mjaltin, dyllin e bën prore,
është punëtore shembullore.
Kjo vjershë përçon një mesazh edukativ. Bleta përshkruhet si një krijesë e vogël, por me rol të jashtëzakonshëm për natyrë dhe njeriun: Bleta mbledh nektar, prodhon mjaltë dhe dyll, por mbi të gjitha është “punëtore shembullore”, ka thënë poeti. Po ashtu, poeti ka përdorur personifikimin për të theksuar virtytin e punës së saj, duke i dhënë bletës një vlerë simbolike: Bleta është model i punës së ndershme dhe të vazhdueshme. Përmes vargjeve, fëmijët mësojnë për rëndësinë e punës dhe respektit ndaj krijesave që ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të natyrës. Janë këto arsye pse poeti, në ndërtimin e veprës “Abetaka” i është referuar strukturës së abetares tradicionale: Çdo vjershë nis me një shkronjë të alfabetit shqip dhe ka për temë një kafshë, një shpend, një peshk, një insekt ose një gjallesë tjetër që lidhet me jetën dhe mjedisin natyror. Poeti, përmes kësaj forme krijuese, arrin të ndërtojë një libër letrar-didaktik që ndihmon fëmijët të mësojnë shkronjat, të pasurojnë fjalorin dhe të njohin botën e kafshëve në mënyrë të këndshme e tërheqëse.
XIXËLLONJA
Kur vera e ngrohtë fillon,
një dritë të verdhë lëshon.
Poshtë e lart fluturon,
fëmijët shumë i gëzon.
Vjersha përshkruan një nga krijesat më të dashura për fëmijët siç janë xixëllonjat, insekte që ndriçojnë netët e verës. Autori zgjedh t’i portretizojë ato përmes një përvoje pedagogjike: Ngrohtësia e verës, drita e verdhë, lëvizja në ajër dhe gëzimi që sjellin, janë disa dukuri për Xixëllonjat. Këto elemente krijojnë një atmosferë magjike dhe të butë, duke i dhënë Xixëllonjës një rol simbolik si shpërndarëse gëzimi dhe të dritës. Për fëmijët, kjo poezi është një ftesë për të vëzhguar natyrën me sy të hapur e të ndjeshëm, dhe për të lidhur përvojën personale me botën përreth. Në nivel letrar, vargjet janë të thjeshta, por të pasura në imazh dhe ndjenjë. Kjo vjershë shërben edhe për të nxitur emocione pozitive dhe kujtime të lumtura të fëmijërisë në natyrë. Në shkollë mund të mësohet se “Tematika” e saj është “magjia e natyrës gjatë verës”; ndërsa “Mesazhi” i vjershës ka të bëjë me “Bukurinë magjepse të natës dhe gëzimi që sjellin krijesat e natyrës”, sidomos Xixëllonja. Si “figurë letrare”, e vjershës është “simbolika e dritës dhe fëmijërisë“; ndërsa si vlerë estetike konsiderohet si, “Vjershë që ngjall imazhe të ngrohta”. Edhe te vjershat tjera mund t’i përmendim disa veçori letrare dhe artistike të poezisë, por pasi unë jam fokusuar tek porosia e vjershës, nuk do të zgjatem. Andaj kjo formë poetike i ndihmon nxënësit e vegjël të përvetësojnë gjuhën përmes përsëritjes, timbrit të fjalës dhe figurave të thjeshta poetike. Vargjet e tilla zgjojnë kureshtjen e fëmijëve dhe ndikojnë në imagjinatën e tyre.
LUANI
Mbret të kafshëve e quajnë,
i fuqishëm haj medet.
Thonë se miu e shpëtoi,
kur njëherë u zu në rrjetë.
Edhe kjo vjershë është një tjetër shembull i bukur i ndërthurjes së poezisë me porosinë e përrallës. Ajo i referohet një fabule të njohur: Luani, i fuqishëm dhe krenar, shpëtohet nga një mi i vogël, duke përçuar një mesazh të thellë: Asnjë ndihmë nuk është e vogël, dhe çdo krijesë ka vlerën e vet. Vjersha i mëson fëmijëve një shkronjë të rëndësishme siç është gërma “L”, por mbi të gjitha u jep një mësim për mirënjohjen, respektin dhe dashurinë për Luanin. Poeti përdor ironinë e lehtë në shprehjen “haj medet” për të theksuar kontrastin mes fuqisë dhe dobësisë, por edhe për të shfaqur një mësim njerëzor për barazi dhe solidaritet. Kështu, lexuesi i vogël njihet më mirë me ariun i cili fle gjatë dimrit, me bletën punëtore, me luanin që quhet mbreti i kafshëve, apo me xixëllonjat që ndriçojnë netët e verës.
QYQJA
Zog shtegtar i pyjeve,
me zë të përvajshëm këndon.
Fole të veten nuk bën,
në çerdhe të huaj vezët lëshon.
Vjersha për qyqen ka një ton më reflektiv dhe prek një temë interesante: Fakti biologjik që ky zog nuk ndërton folenë e vet, por lëshon vezët në foletë e zogjve të tjerë. Ky informacion na prezantohet thjesht dhe pa gjykim, duke nxitur fëmijët të mësojnë për diferencat e sjelljes në botën shtazore. Po ashtu poeti përdor shprehjen “zë të përvajshëm” për të përshkruar këngën e qyqes, duke i dhënë asaj një cilësi të veçantë. Vjersha është një ftesë për vëzhgim, për të kuptuar se në natyrë ekzistojnë sjellje që ndoshta duken të pazakonta, por që kanë funksion dhe arsye. Mesazhi qëndron në tolerancën ndaj dallimeve dhe në vlerësimin e veçantive të çdo krijese.
Për përfundim, mund të them se Demir Reshiti, me këto vjersha, autori ka shtruar një dimension tjetër, veçmas kur i përmend emrat e dytë të disa kafshëve psh: Harabelin, ndryshe e thërrasin Trumcak; Lloskës, (një lloj peshku), ndryshe i thonë Drangë; Shqarthi, (është një lloj ketri), i thonë edhe Kunadhe; Thnegla, ndryshe quhet Milingonë; Vjedulla, i thonë Baldosë; Xhita, (është zog i shpejt), quhet Fajkua, etj. Janë emërtime nëpër disa krahina të vendit tonë, dhe në anën tjetër poeti e ka shndërruar librin në një lektyrë shkollore për të pasuruar gjuhën dhe kulturën shqipe. Pa dyshim vjershat ndihmojnë në mësimin e fjalëve të reja, si dhe na mësojnë edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Një vlerë tjetër shumë e mëdha e vëllimit “Abetaka”, është se përveçse ua mëson alfabetin dhe fjalët e para, vjershat i mësojnë fëmijët për vlerat humane se si duhet ruajtur ekologjinë e natyrës. Në mënyrë të tërthortë, përmes përshkrimeve të jetës së kafshëve, fëmijët kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të kujdesit ndaj kafshëve, të respektit ndaj çdo krijese të gjallë, madje edhe ndaj atyre që në përfytyrimin e zakonshëm duken të padëshiruara, si gjarpri, miu apo zhapini. Pa dyshim, mesazhi i përgjithshëm i librit është, pos mësimi i gjuhës shqipe, edhe kujdesi për natyrës, e cila mund të jetë edhe ma e bukur. Libri “Abetaka”, i poetit Demir Reshiti nuk është vetëm libër për të mësuar alfabetin, por është një udhërrëfyes poetik që mëson fëmijët të lexojnë me zemër dhe të vështrojnë botën me kureshtje dhe mirësi. Sidomos në një kohë kur fëmijët përballen me shumë informacion të shpërndara në rrjetet sociale, “Abetaka” mbetet një shembull i inkurajues në letërsi që edukon, argëton dhe mbjell dashuri për gjuhën dhe natyrën.
“Abetaka”, është një libër që flet me zërin e qetë e të ëmbël të mësuesit të parë dhe që i shoqëron fëmijët në hapat e tyre të parë drejt dijes. Prandaj e them se “Abetaka”, është një libër me shpirt edukativ, që përdor vargun si një urë mes gjuhës, diturisë dhe dashurisë për natyrën. Përmes vjershave të shkurtra dhe tërheqëse, poeti Demir Reshiti, ka arritur për të ngulitur te fëmijët një dashuri për njohje të botës që i rrethon dhe për respektim të çdo gjëje të gjallë.
Demir Reshiti, “ABETAKA”, vjersha, botoi “RILINDJA”, Prishtinë 1995, faqe 48.
St. Gallen, 03.07.2025.