Bëre poshtë nga Babica, me një djalë nga Nivica
Veprën heroike dhe atdhetare të Selam Musait populli shqiptar, nga jugu në veri , e njeh mirë këtë hero legjendar, që luftoi për Shqipëri, jo vetëm kundër andartëve grekë në disa krahina të jugut të atdheut në vitin 1914, ku në fshatin Mavrovë u përlesh dhe trup me trup me andartët grekë, ku edhe u plagos jo një herë, por Selam Musa Salaria luftoi trimërisht edhe në luftën e Vlorës më 1920. Populli i rrethit të Tepelenës i këndon kështu heroit të Salarisë: Dhe në Kotë kur u mblodhën, Pesë a gjashtë Komisione, Ti Selam do shkosh në Vlorë, Kumandar mbi tre taborë! Dhe Selam Musai i përgjgjet: Do vete në paça forë (forcë), Do ta bëj si në Mavrovë, ku i zura grekët me dorë (luftim trup me trup).
Tani, le t’i kthehemi luftës së Vlorës të vitit 1920, ku mori pjesë e gjithë Labëria me në krye Vlorën, ku, në këtë luftë atdhetare, morën pjesë Tepelena dhe Gjirokastra me rrethinat e tyre, etj.
Por në këtë shkrim do të përqendrohem në mënyrë të veçantë në një aspekt të këngës popullore vlonjate: Bëre poshtë nga Babica, Me një djalë nga Nivica, E zure topin nga gryka, Nuk u trëmbe nga e liga ( nga vdekja). Lind pyetja, kush ishte ky djalë nga Nivica, i cili dha jetën në lule të rinisë në krah të Selam Musait dhe populli nuk i di as emërin dhe as mbiemërin e tij ?!
Unë, për këtë pyeta Bujar Xhakën, që është niviciot, i lindur dhe i rritur në Nivicë të Kurveleshit, cili më tha se, ne si fshat, e dimë se kush ka qënë ai djali nga Nivica që është vrarë në krah të Selam Musait në Babicë në qershor të 1920-ës, në Luftën e Vlorës : ai quhej Shefqet Shehu, niviciot, por më shumë të dhëna, më tha Bujari, mund të gjesh në librin, “ Dëshmorët e Nivicës së Kurveleshit”, që ka shkruar studiuesi Zenel Merja, niviciot, ish-partizan në Luftën Nacionalclirimtare dhe oficer-madhor në ushtrinë popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë, cili nuk jeton më. Unë e kërkova librin që ka shkruar studiuesi Zenel Merja dhe e gjeta në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me titull “ Dëshmorët e Nivicës së Kurveleshit” Në këtë libër, në kapitullin: Dëshmorët e Nivicës të rënë kundër pushtuesve të huaj para Luftës së Dytë Botërore, shkruan studiuesi Zenel Merja, dëshmorët e Nivicës janë 24 vetë dhe ndër ta është edhe Shefqet Islam Shehu, midis tyre janë dy gra. Lidhur me dëshmorin Shefqet Shehu studiuesi Zenel Merja shkruan si më poshtë: Nipi dhe trimi që shoqëroi Selam Musa Salarinë deri në momentin e rënies që të dy më 12 qershor 1920 në luftën e Vlorës ishte Shefqet Islam Shehu nga Nivica. Populli u këndoi : Që të dy dajo e nip, E bënë natën ditë, Gjersa u bënë shehitë. Këtej del se Shefqet Shehu ishte nipi i Selam Musait nga motra e martuar në Nivicë në fisin Shehu.
Guna dhe sharku (bruci) i Selam Musait dhe nipit të tij Shefqet Shehut nga Nivica e Kurveleshit, të kapura nga italianët atje ku ranë, pranë spitalit të Vlorës, përfunduan në Romë, pranë Muzeut Historik ( Ku ishte Muzeu I Luftës së Vlorës- 1920, rrëfen ish-ambasadori shqiptar në Itali, Ksenofo Nushi më 1975.
Duke lexuar librin “ Dëshmorët e Nivicës së Kurveleshit” të studiuesit Zenel Merja mëson se fshati I Nivicës dhe niviciotët kanë prejardhje nga fisi ilir i Amantëve dhe Korvesejve të lashtësisë ilire. Nivica është një prej 15 fshatrave të Kurveleshit, të asaj krahine malore dhe shkëmbore, rrëzë malit të lartë të Këndërvicës. Ajo ka nxjerrë trima atdhetarë dhe patriot të pushkës dhe të penës si Balil Nesha, Zenel Gjoleka, Hodo Aliu, Demo Emini e shumë të tjerë, që historia e popullit shqiptar i përmend në faqet e saj. Nivica është kala edhe kështjellë e lashtësisë ilire. Djemtë e Nivicës dhe çetat e tyre kanë marrë pjesë dhe janë dalluar për qëndresë dhe trimëri në luftimet që janë zhvilluar në Palavli të Delvinës, Zagori, Libohovë, Tepelenë, Berat, në Urën e Konisbaltës, Mallakastër, Lumi i Vlorës, Fusha e Dropullit, Gjirokastër, Bregdet, Himarë, Jorgucat e gjetkë…me komandant Hodo Aliunë. Djem dhe figura të shquara niviciote shkuan me armë në dorë dhe morën pjesë në ditët e ceremonisë, në momentin e Shpalljes së Pavarësisë dhe të ngritjes së Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 në ndihmë të Ismail Qemalit.
Populli i Nivicës ka nxjerrë shumë trima të cilëve u këndohet kënga : Gjolekë e Hodo Aliu, Në dorë palla c’iu ngriu. Edhe i famshmi Muço Qulli, i penës dhe i pushkës, që luftoi bashkë me Çerçiz Topullin në Shtoj të Shkodrës dhe atje u vranë nga forcat serbe e malazeze më 10 korrik 1915, nga Nivica ishte.
Bijtë e Nivicës labe të organizuar në çeta atdhetare kombëtare dhe patriotike u ndeshën në luftë dhe përpjekje kundër andartëve grekë në maj-qershor 1914 në Jomen, nën Kolonjë. Nga të gjitha fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm dhe të Sipërm dolën vullnetarë me thika, kama dhe hanxharë dhe u përleshën me andartët grekë trup me trup, grekët me armë zjarri dhe automatike dhe lebërit me armë të ftohta, e megjithë këtë bijtë e Kurveleshit luftuan ditë e natë dhe nuk patën tërheqje deri sa andartët u thyen keqas dhe ikën në Greqi të tmerruar.Populli ynë u ngiti këtë këngë : Në Jomen nën Kolonjë, Kurveleshasit luftojnë, Niviciotët si furtunë, Të parët luftën e zunë.
Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1944 nga Nivica morën pjesë 300 vetë, partizanë komandantë, komisarë dhe kuadro të ushtrisë Nacionalçlirimtare, nga këta 22 veta ishin gra e vajza dhe mbi 50 dëshmorë dhe midis tyre Xheladin Beqiri, “Hero I Popullit”,biri i Kosovës dhe i Kurveleshit.
Nesip Kaçi
Publicist