Arieta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që po mbahet në paraburgim në Serbi, ka reaguar publikisht përmes një letre drejtuar institucioneve të Kosovës. Ajo ka shprehur zhgënjimin dhe dhimbjen për mungesën totale të reagimit institucional. “Kam dërguar letra, kërkesa, lutje në presidencë, kryeministri, ministri – por askush nuk më është përgjigjur”, ka theksuar Spahiu. Në letrën e saj, ajo bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar drejtësi për bashkëshortin e saj, të cilin e konsideron të pafajshëm. Spahiu u arrestua një muaj më parë në Suboticë të Serbisë, ndërsa familja thotë se po përballet me këtë situatë të rëndë në heshtje të plotë nga shteti i Kosovës.
