leoni

Republika Sërpska ndan 22 milionë euro shtesë për lobim në SHBA, përkundër sanksioneve ndaj udhëheqësve të saj

Republika Sërpska ka ndarë mbi 22 milionë euro shtesë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim të “pozicionimit më të mirë” të këtij entiteti serb të Bosnjë e Hercegovinës në raport me administratën e re amerikane. Ministria për Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Republikës Sërpska ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se fondet janë siguruar pas ndryshimeve buxhetore të miratuara nga Asambleja Kombëtare më 3 korrik. Buxheti i kësaj ministrie është rritur për rreth 43 milionë marka (22 milionë euro), përveç 11.6 milionë markave të ndara më herët për qëllime të njëjta. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të lobuar në arenën ndërkombëtare, shumica e drejtuesve të Republikës Sërpska, përfshirë presidentin Millorad Dodik, anëtaren e Presidencës Zhelka Cvijanoviq, kryeministrin Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e parlamentit Nenad Stevandiq, vazhdojnë të jenë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit dhe në sanksionet e disa shteteve evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Austrinë. Në arsyetimin zyrtar, ministria ka deklaruar se rritja e fondit synon “ndryshimin e imazhit për situatën në Bosnje e Hercegovinë”. Përkundër këtyre zhvillimeve, institucionet shtetërore të Kosovës – ndryshe nga ato të Republikës Sërpska – aktualisht nuk kanë asnjë kontratë lobimi aktive në SHBA. Deri në vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës kishte dy marrëveshje të tilla, por ato tashmë kanë skaduar. Njohës të politikave ndërkombëtare paralajmërojnë se kjo mund ta lërë Kosovën nën hije diplomatike dhe pa një zë të fuqishëm në tavolinat ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Arben Gashi e sheh si çështje komplekse konstituimin e kuvendit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se nuk parasheh pasoja juridike …