Situata me zjarret në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së kujdesit nga qytetarët. Vetëm gjatë ditës së sotme, janë raportuar gjithsej 41 vatra zjarri, ndërsa 14 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, sipas raportit të fundit nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave. Zjarret aktive janë të shpërndara në disa komuna të vendit, përfshirë: Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Burim, Besianë , Pejë, Gjakovë. AME thekson se njësitë e zjarrfikjes dhe shpëtimit janë në terren, të ndihmuara nga Policia e Kosovës, qytetarë vullnetarë dhe strukturat komunale përkatëse. “Vërehet një ulje e intensitetit të rasteve të zjarrit krahasuar me ditën paraprake,” thuhet në komunikatën zyrtare. Agjencia u bën thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar për zjarrvënie në mënyrë që të parandalohet përhapja dhe dëmtimi i mëtejmë i mjedisit dhe pronës. AME gjithashtu ka falënderuar të gjithë zjarrfikësit dhe qytetarët që po kontribuojnë në menaxhimin e situatës emergjente.
