Prokuroria kërkon paraburgim për pesë policë të dyshuar për vdekjen e Agon Zejnullahut

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për pesë zyrtarë policorë të arrestuar në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën gjatë arrestimit në Lipjan, më 7 korrik 2025. Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e prokurorisë, Kaltrina Shala, e cila bëri të ditur se kërkesa për paraburgim është dorëzuar dhe se më shumë informacione do të bëhen të ditura në vijim. Seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese pritet të mbahet më 9 korrik në degën e Gjykatës së Prishtinës në Lipjan, pas orës 10:00. Sipas Policisë së Kosovës, e cila ka dalë me një version të detajuar rreth 42 orë pas ngjarjes, Zejnullahu vdiq gjatë ndërhyrjes policore. Por familjarët e të ndjerit kanë reaguar ashpër, duke akuzuar policinë për përgjegjësi direkte në vdekjen e tij. Vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka deklaruar para mediave se trupin e pajetë të Agonit e panë në Emergjencë, pa ndonjë sqarim nga ana e policisë, e madje as ngushëllim. Pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe ndodhen në ndalim nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe ka rikthyer vëmendjen te përgjegjësia institucionale në rastet e ndërhyrjeve policore.

Kontrolloni gjithashtu

Lahi Brahimaj kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit: “Nuk e votoj në asnjë rrethanë”

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për …