Dr Fitim Selimi: Rasti Agon Zejnullahu – Një thirrje për drejtësi, jo heshtje institucionale

Vdekja tragjike e qytetarit Agon Zejnullahu gjatë një aksioni policor në përpjekje për arrestim, ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka ngjallur ndjenjën e dhimbjes, zemërimit dhe mosbesimit ndaj mënyrës se si funksionojnë institucionet tona të rendit dhe drejtësisë.
Si bashkëvendës i të ndjerit, ndjej për obligim moral dhe qytetar të shpreh indinjatën time të thellë ndaj mënyrës brutale, joprofesionale dhe çnjerëzore me të cilën policia e trajtoi Agonin – një ndërhyrje që, në vend se të parandalonte një rrezik, përfundoi me humbjen e jetës së një të riu.
Pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe media dëshmojnë qartë: Agon Zejnullahu ishte i pambrojtur, nën ndikimin e alkoolit – një gjendje që kërkon përkujdesje dhe trajtim shëndetësor, jo dhunë. Në vend të reagimit të matur dhe profesional, ai u neutralizua me forcë ekstreme, u shtyp për një kohë të gjatë nga pesë pjesëtarë të policisë, me një trajtim që e paralizoi plotësisht dhe çoi drejt vdekjes së tij.
Vendosja e këmbës në qafën e të ndjerit dhe qëndrimi mbi trupin e tij pa reagim për një periudhë të zgjatur, përbën një akt të pastër shtypjeje dhe asfiksie. Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme, por edhe kriminale. Më tragjikja është përpjekja për ta ngritur në këmbë trupin e pajetë të Agonit, për të simuluar gjendje jete dhe për të krijuar përshtypjen se policia nuk ka përgjegjësi për vdekjen.
Por krimi nuk ndalet me ndërhyrjen brutale. Reagimi institucional, që në vend të hetimit të plotë dhe të paanshëm, nxitoi të arsyetojë veprimet e dhunshme të zyrtarëve policorë, është dëshmi e një prirjeje shqetësuese për mbulimin e përgjegjësisë dhe për mohimin e të vërtetës.
Në një shtet demokratik, jeta e çdo qytetari duhet të jetë e shenjtë, e garantuar me ligj dhe mbrojtur nga dhuna institucionale. Heshtja dhe paragjykimi nga institucionet përballë një akti kaq të rëndë është alarm për të gjithë ne – jo vetëm për të afërmit e Agonit, por për secilin që beson në dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut.
Kërkojmë hetim të pavarur, ndëshkim të përgjegjësve dhe transparencë të plotë. Mosveprimi është bashkëfajësi.
Drejtësia për Agonin nuk është çështje individuale – është provë e gjallë e funksionimit, ose dështimit, të sistemit tonë të drejtësisë dhe institucioneve të shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Fidair Berisha;  Pikëpamjet e ndryshme dhe përcaktimi i metodave të shërbimit inteligjent në aspektin shkencor

Fidair Berisha: Kërcënimet hibride ndaj Kosovёs

Kosova dhe Serbia si dy vende  më probleme tё pa zgjidhura, po shfrytёzohen si ambient …