Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë një kërkesë zyrtare për transferimin në Kosovë të pesë të dënuarve për rastin e Kumanovës, përfshirë edhe kunatin e saj, Muhamet Krasniqi, i dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut. Kërkesa, e bërë më 21 gusht 2024 dhe dërguar homologut maqedonas Igor Filov, nuk është aprovuar. Në letrën e siguruar nga Paparaci, Haxhiu kishte kërkuar transferimin e të dënuarve Muhamet Krasniqi, Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi dhe Demë Shehu, duke u thirrur në marrëveshjen ndërshtetërore të vitit 2012 për transferimin e të burgosurve. Sipas Haxhiut, kërkesat ishin bërë edhe për arsye shëndetësore dhe humanitare, duke theksuar se rehabilitimi dhe trajtimi i tyre do të ishte më i lehtë në Kosovë. Letra ishte shoqëruar me referenca nga Ambasada e Kosovës në Shkup, e cila kishte rekomanduar nisjen e procedurave të transferimit për dy nga të burgosurit. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut nuk e ka miratuar kërkesën deri më sot. Edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar jozyrtarisht se nuk ka pranuar asnjë njoftim për transferim të të dënuarve nga ky rast. Gjykata Themelore e Shkupit kishte dhënë gjithsej 746 vjet burg për të akuzuarit, ndërsa 7 prej tyre, përfshirë Muhamet Krasniqin, u dënuan me burgim të përjetshëm.
