Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka akuzuar qeverinë Kurti për veprime jo kushtetuese dhe keq menaxhim të theksuar, duke e cilësuar dëm epokal për vendin. Ajo foli para seancës së 45-të konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në një deklarim për media, Lushaku-Sadriu tha se zyrtarët aktualë të ekzekutivit kanë uzurpuar funksionet shtetërore dhe po marrin vendime që, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën dhe interesin publik. “Të gjithë këta që i kanë uzurpuar zyrat e qeverisë bartin përgjegjësi për vendimet jo kushtetuese, sidomos për procedurat e prokurimit, ku nënshkrimet e tyre po shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta në buxhetin e Kosovës”, u shpreh ajo. Deputetja e LDK-së ironizoi edhe me premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se partia që erdhi në pushtet me kauzën e luftës kundër korrupsionit, po shndërrohet në simbol të tij. “Është e çuditshme se si një parti që u rrit mbi premtimin për drejtësi dhe transparencë, sot është kthyer në sinonim të korrupsionit dhe arrogancës në pushtet”, theksoi Lushaku-Sadriu.
