Paris Guri: Kompani e afërt me pushtetin fitoi 150 tenderë në vlerë prej 75 milionë euro

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me atë që e cilësoi si një abuzim masiv me tenderë publikë në sektorin e shëndetësisë gjatë mandatit të qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Gurit, një kompani e vetme, e quajtur Meditech, e lidhur ngushtë me zyrtarë të pushtetit, ka arritur të fitojë 150 tenderë brenda katër vitesh, me një vlerë të përgjithshme prej 75 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë, përmes, siç u shpreh ai, një “skeme të përgatitur paraprakisht”. Deputeti Guri pretendon se baza e këtij përfitimi të madh qëndron te përfshirja e Arianit Jakupit, një bashkëpunëtor i afërt i ministrit Arben Vitia, në komitetin për hartimin e Listës Esenciale të Barnave – dokument ky që përcakton barnat që blihen me fonde publike për sistemin spitalor. “Arianit Jakupi ishte pjesë e komitetit që vendoste cilat barna do të bliheshin nga shteti. Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, ai dha dorëheqje nga pozita publike dhe themeloi kompaninë Meditech. Më pas, fitoi dhjetëra tenderë për t’ia shitur shtetit ato barna që vetë i kishte përfshirë në listë,” deklaroi Guri. Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të nisin hetime të menjëhershme lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar rastin si shembull flagrant të konfliktit të interesit dhe abuzimit me paranë publike.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar edhe në përpjekjen e 48-të për konstituim

Bllokada politike në Kuvendin e Kosovës po vazhdon edhe pas më shumë se tre muajsh …