Ka emra që nuk i mbulon as pluhuri i kohës, as heshtja e viteve, sepse janë skalitur në themelet e lirisë sonë. Njëri prej tyre është Gani Paçarizi, i njohur si “Rreziku”, komandant i UÇK-së dhe simbol i vendosmërisë për çlirim. Sot, në vendin ku ai ra heroikisht, zbuluam muranën që do të mbajë përjetësisht kujtimin e tij.
Në praninë e familjarëve të dëshmorëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve, nderuam jetën dhe veprën e Ganiut përmes kësaj murane përkujtimore, një shenjë që nuk është vetëm përkujtim, por edhe udhëzim për brezat e ardhshëm, ka shkruar në profilin e tij në facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Me pjesëmarrjen e tyre këtë aktivitet e nderuan kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, si dhe shumë personalitete të tjera që me praninë e tyre e bënë edhe më domethënës këtë përvjetor.
Ganiu e fitoi përjetësinë duke qenë aty ku atdheu e thërriste më shumë, në vijën e parë të frontit, në radhët e UÇK-së, me guxim të rrallë dhe përkushtim të pashoq. Ai ishte edhe mendje e organizimit dhe udhëheqjes në betejat më të vështira.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
