Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të mërkurën fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhje lokale. Periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të zgjasë 38 ditë, deri më 29 gusht 2025. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. “Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së ose (2) përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Duke filluar nga data 23 korrik, në përmbushje të detyrimit ligjor, KQZ do të aktivizojë platformën elektronike, përmes së cilës votuesit jashtë Kosovës mund të regjistrohen për votim” ka thënë mes tjerash, zëdhënësi, Valmir Elezi.
