Gjermania ka shprehur shqetësim për krizën politike në Kosovë, duke e cilësuar bllokimin e konstituimit të Kuvendit si pengesë serioze për integrimin euroatlantik.
Në një reagim për Klan Kosova, zëvendësshefi i misionit gjerman në Prishtinë, Christian Bottcher, tha se vonesat po dërgojnë sinjal të gabuar te partnerët ndërkombëtarë dhe po minojnë besueshmërinë që Kosova ka ndërtuar ndër vite.
“Liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi dhe të sigurojnë një Kuvend funksional. Qytetarët meritojnë përfaqësues që veprojnë në interesin e tyre, jo mbështetje të vazhdueshme te Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.
Sipas tij, një rol kyç mund ta luajë edhe Presidentja Vjosa Osmani, përmes nxitjes së dialogut ndërpartiak dhe ndërtimit të konsensusit.
Gjermania rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me qeverinë e ardhshme.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar çdo veprim për konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht, pas dështimit të 54 seancave dhe kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.