Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit për trupin e një mërgimtari 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura ditë më parë. Ky është dita e tretë e kërkimeve, ndërsa në aksion janë angazhuar njësitë e specializuara të zhytësve të FSK-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe me koordinim të KFOR-it.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se FSK po vepron në mbështetje të autoriteteve civile, në përputhje me mandatin e saj për ndihmë në raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore. “Qëllimi është që sa më parë të lokalizohet trupi i të ndjerit dhe të lehtësohet dhimbja e familjes,” ka shkruar Maqedonci.
Ndërsa, KFOR-i, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se ka dhënë autorizim për përfshirjen e FSK-së në këtë operacion, duke theksuar se vendimi është marrë për arsye humanitare dhe në përputhje të plotë me mandatin e tij. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, tha se ky veprim synon të ndihmojë maksimalisht në përpjekjet për rikuperimin e trupit të 33-vjeçarit.
Nga dita e diel në vendngjarje janë të pranishme edhe ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, të cilat bashkëpunojnë ngushtësisht me autoritetet.
Ndërkohë, rasti ka nxitur edhe reagime politike. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje, ku thuhej se FSK-ja ka shkuar për herë të parë në veri të vendit. Ajo e quajti të papranueshme që një tragjedi të përdoret për propagandë politike.
“FSK-ja nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht. Po aq sa po retushoni fotografitë, po përpiqeni të retushoni edhe historinë,” ka shkruar Çitaku në një reagim në Facebook, duke akuzuar Vetëvendosjen për mungesë ndjeshmërie dhe përpjekje për të përfituar politikisht nga një ngjarje tragjike.
Operacioni i kërkimit vazhdon, ndërsa deri tani përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat konkret. Autoritetet janë të angazhuara për ta përmbyllur sa më shpejt këtë aksion dhe për t’ia kthyer trupin familjes së të ndjerit.