Bedri Halimi: PROKURORI LIBERAL DHE PËRDHOSJA E SIMBOLEVE KOMBËTARE

Xhevat Hasani: PËRKITAZI ME PËRDHOSJEN E FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR NË FSHATIN STUDENÇAN TË THERANDËS

Më 13-të qershor të këtij viti 2025 derisa fushat e Therandës (Ish-Suharekës) po digjeshin nga vatrat e zjarrit për shkak të temperaturave të larta, tre djemë te mitur të fshatit Studençan të komunës së Therandës, po e përdhosnin keqas flamurin kombtar shqiptar: dy prej tyre duke e shkelur flamurin me këmbë dhe me makinë, kurse i treti duke e regjistruar aktin e përdhosjes me telefon, dhe duke e hedhur pastaj video-inqizimin në rrjetin e Tik-Tok-ut, për ta parë sa më shumë njerëz.

Deri më tani flamuri kombëtar shqiptar është djegur disa herë në qendër të Beogradit në Serbi dhe është djegur po ashtu disa herë edhe në qendër të Athinës në Greqi, si dhe është djegur njëherë nga tifozët serbë të futbollit edhe në Itali, derisa një ekip i futbollit i Kosovës po luante me një ekip të futbollit të një vendi të tretë.

Por, me sa duket këto djegie të flamurit të kombit shqiptar nga shovinistët serbë e grekë nuk paskan mjafuar, dhe qenka dashur që flamuri kombëtar shqiptar të përdhoset edhe nga disa djemë të mitur shqiptarë, që bukës i thuan bukë e ujit ujë!

Derisa në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që pjestarët një kombi ta përdhosin flamurin e tyre kombëtar, në Kosovë me 13 qershor të këtij viti ndodhi që për herë të parë disa shqiptarë ta përdhosnin flamurin e tyre kombëtar! Kur ndodhin gjëra të tilla të kobshme në popull thuhet se «Kijameti osht n`gat…!

Në ditet e para njerëzit e fshatit dhe të tjerët që kishin dëgjuar për aktin e shëmtuar, kishin dashur që atë ta «varrosnin» duke mos i dhënë publicitet. Por, kjo kishte qenë e pamundur sepse përdhosësit aktin e përdhosjes, veç e kishin përhapur në rrjetin anti-njerëzor të Tik-Tok-ut.

Ska dyshim se ky akt i shëmtuar ka irituar shumë qytetarë të denjë të Therandës, përfshi edhe kryetarin e Komunës së Therandës, z. Bali Muharremin, që është njëri nga kryetarët më të mirë të komunave të Kosovës.

Por, ata që me sa di unë nuk kanë reaguar fare janë familjarët (pridnërit) e përdhunuesve të flamurit. Ata deri më tani (për më shumë se një muaj ç`prej se fëmijet e tyre e kanë përdhosur flamurin), as nuk janë distancuar nga akti makabër i fëmijëve të tyre dhe as nuk kanë kërkuar falje për keq-edukimin e tyre.

Dhe ajo që s`ka lëvizuar fare është Gjykata dhe Prokuroria e Komunës së Therandës, e cila siç po flitet deri më tani as që i ka marr në pyetje përdhosësit e flamurit.

Mendoj se është me rëndësi të dihet se çka qëndron prapa këtij akti të shëmtuar anti-kombëtar e anti-shqiptar:

*Mos ata të mitur janë indoktrinuar nga qifti i Nexhmedin Spahiut dhe i Halil Matoshit, të cilët tani më për 25-së vite me radhë e kanë propaganduar mospërdorimin e flamurit kombëtar shqiptar?

*Mos ata të mitur janë indoktrinuar nga thëniet e një grushti të vogël hoxhallarësh, të cilët herë pas here janë shprehur se kombi s`ka asnjë rëndësi, se flamuri kombëtar nuk është tjetër veç se një leckë, siç ka thënë para disa vitesh edhe hoxhë Mazllami nga Zapllugjja e Opojës!

*Mos ata të mituar janë mashtruar nga ndonjë agjent shqiptar i BIA-së së Serbisë, duke iu dhënë ai atyre para për ta përdhosur flamurin?

*Apo mos ata të mitur e kanë përdhosur flamurin me shpresë se duke e paraqitur video-inqizimin e përdhosjes në rrjetin e Tik-Tok-ut, ai video-inqizim do të shikohej nga miliona njerëz duke iu sjellë atyre para me thes?

Tek pasi të gjindet shkaku i vërtetë i kësaj përdhosje mund të mirrën masa adekuate dhe, jo masa qorre, për dënimin dhe parandalimin e saj. Por për të ndodhur kjo Gjykata dhe Prokuroria e Therandës duhet të zgjohen nga gjumi!

Në të kundërtën nëse ky akt i përdhosjes së flamurit kombëtar shqiptar do të kalohet sikur nuk ka ndodhur asgjë, akte të tjera përdhosëse kanë për të ndodhur sërish, duke u bërë kësisosji shoqëria shqiptare e Kosovës, një shoqëri ku ligjin e bëjnë: delikuentët, hajdutët, prositutët, bandat, dallkukët dhe kopukët, njerëzitë e IS-isët dhe spiunët e Serbisë, që Zoti mos e bëftë!

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Qeveria të shfuqizojë menjëherë vendimin antikushtetues dhe anti ligjore që diskriminon komunat dhe përjashton mërgatën

BDI: Qeveria të shfuqizojë menjëherë vendimin antikushtetues dhe anti ligjore që diskriminon komunat dhe përjashton mërgatën

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin dhe indinjatën e qytetarëve lidhur me vendimin diskriminues të …