Rryma

LBK paralajmëron rrezik për falimentime masive, kërkon pezullim të menjëhershëm të vendimeve për tregun e lirë të energjisë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimet e Qeverisë në detyrë dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të cilat, sipas saj, po e ekspozojnë ekonominë e vendit ndaj rrezikut të destabilizimit afatgjatë.

Në një komunikatë për media, LBK thekson se vendimet për kalimin e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë janë në kundërshtim me vendimet e formës së prerë të gjykatave, cenojnë interesin strategjik të vendit dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për sektorin prodhues, punësimin dhe qëndrueshmërinë financiare.

“ZRrE nuk ka as mandat ligjor e as autoritet institucional për të shpërfillur vendimet e gjykatave apo për të vepruar në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin e LBK-së.

Sipas kësaj organizate, mungesa e kontrollit parlamentar dhe e përgjegjësisë institucionale po i lejon ZRrE-së dhe Qeverisë të marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat ligjore të bizneseve, sigurinë e investimeve dhe konkurrencën e ndershme në treg.

LBK ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimeve për kalimin në tregun e lirë të energjisë, respektimin e vendimeve gjyqësore dhe nisjen e një dialogu institucional e gjithëpërfshirës me përfaqësues të sektorit privat.

Në fund të komunikatës, LBK paralajmëron se vazhdimi i kësaj qasjeje rrezikon falimentime masive të ndërmarrjeve vendore dhe tkurrje të kapaciteteve prodhuese në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …