Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe një tjetri për kërcënim ndaj kryeministrit Kurti

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës një aktakuzë ndaj dy personave, F.K. dhe N.S., për veprën penale “Kanosja”. Rasti lidhet me deklaratat e Faton Klinakut, i cili kishte thënë se “më parë do ta vriste Albin Kurtin sesa do ta lëshonte Kosovën”.

Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, F.K. ka kërcënuar publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Në postim, Klinaku ka përdorur gjuhë kërcënuese që, sipas Prokurorisë, kishte për qëllim frikësimin dhe detyrimin e kreut të qeverisë që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të detyrës së tij.

Pas reagimeve të opinionit publik, një ditë më pas – më 30 gusht – Klinaku e ka përsëritur postimin kërcënues, duke shkruar: “Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

Në aktakuzë përfshihet edhe N.S., i cili, sipas Prokurorisë, ka shprehur po ashtu kërcënime me vrasje ndaj kryeministrit përmes rrjeteve sociale, duke iu referuar postimeve të Klinakut.

Lidhur me aktakuzën, Faton Klinaku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se është njoftuar për të vetëm nga mediat dhe se nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar nga autoritetet, përfshirë avokatin e tij.

“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka shkruar Klinaku.

Për momentin, nuk ka ndonjë reagim nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këtë çështje. Procesi pritet të zhvillohet në gjykatë në javët apo muajt në vijim.

Kontrolloni gjithashtu

Republika e Kosovës e mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial

Deputetja ukrainase: Ukraina do ta njohë Kosovën në të ardhmen e afërt

Deputetja e parlamentit ukrainas, Ivanna Klympush Tsintsadze, deklaroi në një intervistë për Klan News se …