Rreth orës 00:20 të datës 01 gusht 2025, një njësit patrullues në kuadër të Stacioni Policor në Rahovec, gjatë patrullimit të rregullt ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri që dyshohej se vinin nga një shtëpi ku po mbahej një aheng familjar (dasmë) në fshatin Bellacerkë. Menjëherë janë ndërmarrë veprime policore dhe në vendngjarje janë identifikuar dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, të moshës madhore.
Ndërmarrja e veprimeve policore ka rezultuar me sekuestrimin e dy armëve të zjarrit, pistoleta për sinjalizim me zë, secila me nga një karikator, të cilat dyshohet se janë përdorur në rast. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të armës.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar me vendimin e të cilit rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë rikujton dhe apelon tek të gjithë qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve gjatë ahengjeve familjare apo ngjarjeve festive. Përdorimi i armëve paraqet rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve dhe qytetarëve në përgjithësi, është edhe vepër penale e dënueshme me ligj.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me veprime parandaluese dhe do të ndërmarrë masa ndaj çdo sjelljeje që cenon sigurinë publike.
Drejtoria Rajonale e Policisë
Gjakovë