Sot në ambientet e komunës së Deçanit u mbajtën dy dëgjime publike lidhur me planifikimin buxhetor për vitin e ardhshëm. Takimet u organizuan nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, me qëllim që qytetarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe strukturat lokale të kenë mundësinë të japin kontributin e tyre në procesin e hartimit të buxhetit komunal.
Dëgjimi i parë u zhvillua në ora 10:00 me përfaqësues të organizatave joqeveritare, rinisë dhe sportistëve, ku drejtoresha e Buxhetit dhe Financave, znj. Dafina Cacaj, prezantoi strukturën e buxhetit, prioritetet dhe planet për investimet për vitin 2026. Ajo sqaroi se ky proces është i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të japin sugjerime dhe të shprehin nevojat e komunitetit që përfaqësojnë, veçanërisht në fushën e sportit dhe aktiviteteve rinore.
Në ora 11:00 u mbajt dëgjimi i dytë, kësaj radhe me kryetarët e këshillave lokalë nga të gjitha fshatrat e Komunës së Deçanit. Edhe këtë takim e hapi drejtoresha Cacaj, e cila prezantoi në detaje planifikimet buxhetore dhe mundësitë për investime në infrastrukturën publike.
Nga të pranishmit u theksuan disa kërkesa të rëndësishme, si ndërtimi dhe asfaltimi i rrugëve, përmirësimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit. Po ashtu, u ngrit edhe çështja e përmirësimit të rrugës Deçan–Plavë, si një arterie e rëndësishme për vizitorët që shkojnë drejt bjeshkëve të Deçanit, ku drejtori i Urbanizmit, z. Ram Melaj, dha sqarime konkrete mbi hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim.
Komuna e Deçanit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe angazhimin e tyre. Institucionet komunale mbeten të hapura për çdo sugjerim dhe kërkesë që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.