Spiropali dënon thirrjet fyese ndaj shqiptarëve në Kumanovë: E papranueshme, kërkohet reagim i fortë institucional

Spiropali dënon thirrjet fyese ndaj shqiptarëve në Kumanovë: E papranueshme, kërkohet reagim i fortë institucional

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj incidentit të ndodhur gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme” dhe një kujtesë e nevojës për angazhim të vazhdueshëm për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, i cili duhet të mbart frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë”, shkroi ajo.

Spiropali vlerësoi reagimin fillestar të institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por theksoi se pritet një qëndrim më i qartë dhe i fortë nga autoritetet më të larta shtetërore.

Duke e konsideruar bashkëjetesën ndëretnike si një vlerë të përbashkët në rrugën europiane, Spiropali theksoi se kjo kërkon përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon: “Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen”.

Ajo përmbylli deklaratën duke ritheksuar se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model, larg ndasive të vjetra dhe diskurseve përjashtuese.

Kontrolloni gjithashtu

Behrami kritikon heshtjen e institucioneve të Kosovës pas fyerjeve ndaj shqiptarëve në Kumanovë

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër heshtjen e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës pas …